Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar platformën elektronike për publikimin e rezultateve preliminare dhe statistikave të pjesëmarrjes në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku ka sqaruar se qytetarët do të mund të ndjekin në kohë reale të dhënat për pjesëmarrjen në votime dhe rezultatet preliminare të subjekteve politike.
Sipas Elezit, platforma do të publikojë të dhënat për pjesëmarrjen e votuesve në gjashtë intervale kohore gjatë ditës së zgjedhjeve, përkatësisht në orët 09:00, 11:00, 13:00, 15:00, 17:00 dhe 19:00, për secilën komunë, qendër votimi dhe vendvotim.
“ Në këtë platformë do të publikohen të dhëna për pjesëmarrjen e votuesve në votime në gjashtë orare (09:00; 11:00; 13:00; 15:00; 17:00 dhe 19:00) nga Qendrat e Votimit dhe rezultatet preliminare të subjekteve politike pas numërimit të fletëvotimeve në vendvotime”, ka njoftuar Elezi.
Ai ka rikujtuar se, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i votave për subjektet politike bëhet në vendvotime menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit, ndërsa numërimi i votave për kandidatët për deputetë zhvillohet në Qendrat Komunale të Numërimit.
KQZ ka bërë të ditur se rezultatet e publikuara në platformë do të jenë preliminare dhe do të përditësohen vazhdimisht gjatë procesit të numërimit.

