Drejtoria e Doganave të RMV-së: Parandalohet përpjekje për të kontrabanduar 312 puro në Tabanoc

Dogana ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme purosh me vlerë rreth 4.000 euro në pikën kufitare Tabanoc, gjatë një kontrolli të kryer nga një ekip mobil i Departamentit për Çështje Operative.

Sipas autoriteteve, kundër personit me inicialet K.B., shtetas i Maqedonisë së Veriut, është paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Publike të Kumanovës për veprën penale të kontrabandës, e paraparë dhe e dënueshme sipas Kodit Penal. I dyshuari është shofer autobusi, i punësuar në një kompani që merret me transport ndërkombëtar rrugor.

Nga Drejtoria e Doganave bëjnë të ditur se autobusi, i cili po hynte në vend, është ndaluar për kontroll të detajuar pas dyshimeve të ngritura nga ekipi doganor. Gjatë kontrollit janë zbuluar gjithsej 312 puro të prodhuesve të ndryshëm, të fshehura nën ulëse dhe në një hapësirë të posaçme të konstruktuar në autobus.

Vlera e detyrimeve të shmangura fiskale vlerësohet në rreth 174.900 denarë. Produktet e akcizës që ishin objekt i tentativës për kontrabandë janë sekuestruar, ndërsa pas urdhrit të Prokurorisë Publike të Kumanovës do t’i dorëzohen Agjencisë për Menaxhimin e Pronës së Sekuestruar.

Drejtoria e Doganave thekson se do të vazhdojë me kontrolle të shtuara në pikat kufitare dhe në territorin e vendit, me qëllim parandalimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të akcizës, mbrojtjen e të ardhurave buxhetore, ruajtjen e shëndetit publik dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.

By admin4