Koalicioni VLEN vlerëson se zhvillimi ekonomik i Maqedonisë së Veriut është i lidhur ngushtë me forcimin e partneriteteve strategjike dhe zgjerimin e bashkëpunimit konkret me vendet mike.
Përmes një komunikate, nga VLEN njoftuan se pas më shumë se 12 vitesh, Maqedonia e Veriut dhe Turqia kanë rikthyer dialogun e nivelit të lartë për transportin rrugor, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe institucional ndërmjet dy shteteve.
Në Shkup, zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli, priti homologun e saj turk, zëvendësministrin e Transportit dhe Infrastrukturës, Dumuş Ünüvar. Takimi u përmbyll me nënshkrimin e një protokolli të ri për transportin rrugor ndërmjet dy vendeve.
Sipas VLEN-it, protokolli parasheh rritjen e kuotave të lejeve për transportin ndërkombëtar të mallrave, si dhe sigurimin e lejeve shtesë për vitin 2026.
Nga koalicioni theksojnë se këto masa do të lehtësojnë punën e transportuesve, do të kontribuojnë në rritjen e qarkullimit të mallrave dhe do të nxisin shkëmbimet tregtare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë.
VLEN konsideron se partneritetet strategjike, përveç dimensionit diplomatik, paraqesin një instrument konkret për zhvillim ekonomik, krijimin e mundësive të reja për bizneset dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

