Sot përfundon viti shkollor për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm, të cilët nga nesër do të nisin pushimet verore që do të zgjasin deri më 31 gusht.
Për më shumë se 14.500 maturantë, procesi mësimor ka përfunduar që më 15 maj. Të mërkurën, më 11 qershor, kandidatët e regjistruar për provimin shtetëror të maturës do t’i nënshtrohen provimit të detyrueshëm ekstern në gjuhën amtare – maqedonase, shqipe, turke ose serbe. Ndërkaq, kandidatët e maturës profesionale dhe asaj artistike do ta zhvillojnë këtë provim më 12 qershor. Pjesa e parë e maturës, provimi i jashtëm me lëndë zgjedhore, u mbajt më 6 qershor.
Sipas të dhënave zyrtare, gjithsej 14.587 nxënës janë regjistruar për provimet e maturës. Prej tyre, 12.184 kandidatë do t’i nënshtrohen maturës shtetërore, 2.276 maturës profesionale, ndërsa 127 nxënës janë regjistruar për maturën artistike.
Ndërkohë, gjysmëmaturantët gjatë këtij muaji duhet të përfundojnë procedurat e regjistrimit në vitin e parë të arsimit të mesëm. Aplikimi do të realizohet në mënyrë elektronike përmes portalit Uslugi.gov.mk, duke përdorur qasjen e veçantë për nxënësit përmes llogarive të tyre në schools.mk. Pas aplikimit online, kandidatët do të duhet të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm në shkollat ku kanë aplikuar.

