E propozuara për ambasadore në Kroaci, e diplomuar në universitetin serb të Prishtinës: Diploma e nënshkruar nga Radivoje Papoviqi

Hasnije Ilazi, e propozuara e Qeverisë së Kosovës për ambasadore në Kroaci, ka diplomuar në vitin 1992 në Universitetin e Prishtinës, gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Sipas një dokumenti të siguruar nga Paparaci, diploma e saj është nënshkruar nga Radivoje Papoviqi, ish-rektori i Universitetit të Prishtinës.

Ilazi, profesoreshë e filozofisë në Fakultetin Filozofik, kishte përfunduar studimet në një periudhë kur Kosova ndodhej nën pushtetin represiv të regjimit serb.

Papoviqi, i cili drejtonte Universitetin e Prishtinës gjatë viteve të nëntëdhjeta, ishte plagosur në një sulm me bombë në vitin 1997.

Përgjegjësinë për këtë sulm e kishte marrë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Ilazi është propozuar për ambasadore në Zagreb nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Ajo ka qenë edhe kryetare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

Nëse emërohet, Ilazi do ta zëvendësojë ambasadorin Martin Berishaj, emri i të cilit është përmendur në raportime për transaksione të dyshimta financiare.