Fermerët Kosovarë të Qumështit kanë paralajmëruar protestë për nesër (6 korrik), duke filluar nga ora 13:00, para Ministrisë së Bujqësisë, si reagim ndaj situatës së krijuar pas ndërprerjes së grumbullimit të qumështit të freskët.
Sipas njoftimit të Shoqatës së Fermerëve, vendimi për protestë u mor njëzëri në mbledhjen e mbajtur më 5 korrik, pasi, siç thonë ata, mbyllja e përkohshme e fabrikës “Vita” në Istog, pas një aksioni të Ministrisë, ka lënë shumë ferma pa mundësi për të dorëzuar qumështin.
“Protesta është e pashmangshme me situatën e krijuar për mosgrumbullimin e qumështit të freskët nga fermat tona, duke hasur në vesh të shurdhër tek akterët kompetentë”, thuhet në reagimin e fermerëve.
Ata kanë paraqitur tri kërkesa kryesore:
Rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit;
Publikimin urgjent të rezultateve të analizave, për të larguar dyshimet mbi produktet vendore;
Rikthimin e çmimit të mëparshëm të qumështit, për të shmangur falimentimin e fermave.
Fermerët kanë bërë të ditur se në protestë do të marrin pjesë me mjete bujqësore dhe cisterna me qumësht, ndërsa kanë ftuar qytetarët të sjellin bidona, pasi do të shpërndajnë qumësht falas.



