Fluks i madh në Lluzhan të Podujevës, pjesëmarrje më e ulët në votimin me kusht

Në komunën e Podujevës, ku janë të hapura 47 qendra votimi për zgjedhjet e nivelit nacional, është raportuar pjesëmarrje e ndryshme e qytetarëve në varësi të vendvotimeve.

Në fshatin Lluzhan, ku ndodhet njëra nga qendrat e votimit me tri vendvotime, është vërejtur fluks i vazhdueshëm i qytetarëve gjatë gjithë ditës, duke reflektuar interes të shtuar për procesin zgjedhor.

Sipas gazetares së Klan Kosovës, Artina Breznica, në këtë qendër ka pasur lëvizje të pandërprerë të votuesve, ndërsa procesi ka vijuar në mënyrë të rregullt.

Ndryshe nga kjo, në Qendrën e Votimit me Kusht është regjistruar një pjesëmarrje më e ulët, ku deri më tani kanë votuar rreth 100 qytetarë.

Sipas raportimit, një nga arsyet e mundshme për këtë nivel më të ulët të pjesëmarrjes mund të jetë fakti se një pjesë e votuesve kanë zgjedhur të votojnë në orët e mëvonshme të ditës.

Procesi zgjedhor po vazhdon në të gjithë komunën e Podujevës nën monitorimin e autoriteteve përgjegjëse.

By admin