Fuqia e numrave vs. Fuqia e parave: Sa peshojnë realisht ministritë e reja të VLEN-it?

Rikonstruimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, i realizuar pas dy vjetësh nga formimi i saj,
nuk u kufizua vetëm në zëvendësimin e ministrave, por solli edhe një rishpërndarje të
dikastereve ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës. Ky zhvillim politik është interpretuar në
mënyra të ndryshme nga përfaqësuesit e pushtetit, opozita dhe opinioni publik, shkruan
FaktiDitor.mk

Një pjesë e qytetarëve e vlerësojnë këtë rikonstruim si një përpjekje për të krijuar një perceptim
të ri politik dhe për të zbehur rezultatet modeste të gjysmës së parë të mandatit qeverisës. Të tjerë
e shohin atë si një parapërgatitje për zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa ka edhe nga
ata që e konsiderojnë si një fitore politike të partnerëve të caktuar të koalicionit. Në këtë
kontekst, koalicioni shqiptar në pushtet, VLEN, ka deklaruar se rikonstruimi përbën një sukses
politik, duke argumentuar se ka siguruar më shumë ministri dhe, rrjedhimisht, ka forcuar pozitën
e tij në ekzekutiv.

Sipas këtij interpretimi, shqiptarët po marrin një përfaqësim më të denjë në strukturat qeveritare.
Megjithatë, lind pyetja nëse ky pretendim qëndron edhe në aspektin e fuqisë reale institucionale
dhe financiare të ministrive të marra në administrim.
Një analizë e të dhënave të Ministrisë së Financave dhe e ndarjes buxhetore për vitin 2026
paraqet një realitet disi ndryshe, shkruan FaktiDitor.mk

Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë është institucioni me buxhetin më të madh
në vend, me një vlerë që lëviz ndërmjet 2.3 dhe 2.4 miliardë euro, duke administruar afërsisht një
të tretën e buxhetit të përgjithshëm të shtetit. Deri para rikonstruimit kjo ministri drejtohej nga
kuadro të VLEN-it, ndërsa pas ndryshimeve i kaloi VMRO-DPMNE-së.
Ministria e Shëndetësisë renditet e dyta për nga pesha buxhetore, me një buxhet që varion nga
860 deri në 900 milionë euro. Edhe kjo ministri drejtohej nga VLEN para rikonstruimit, por
tashmë udhëhiqet nga VMRO-DPMNE.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës, me një buxhet prej rreth 550–640 milionë euro, renditet e
treta në hierarkinë buxhetore dhe ka qenë vazhdimisht nën drejtimin e kuadrove të VMRO-
DPMNE-së,shkruan FaktiDitor.mk
Në vendin e katërt renditet Ministria e Transportit, me një buxhet prej 450–500 milionë euro, e
cila që nga formimi i qeverisë në qershor të vitit 2024 dhe edhe pas rikonstruimit vazhdon të
drejtohet nga VMRO-DPMNE.
Ministria e Punëve të Brendshme, me një buxhet prej rreth 220–250 milionë euro, mbetet
ministria e pestë për nga madhësia e buxhetit dhe ka qenë gjatë gjithë kësaj periudhe nën
drejtimin e VMRO-DPMNE-së.

Ministria e Mbrojtjes renditet e gjashta, me një buxhet që varion nga 180 deri në 220 milionë
euro, dhe gjithashtu vazhdon të administrohet nga kuadro të VMRO-DPMNE-së.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave është ministria e shtatë për nga
pesha buxhetore, me rreth 130–150 milionë euro. Që nga formimi i qeverisë në qershor të vitit
2024 e deri pas rikonstruimit, kjo ministri nuk është udhëhequr në asnjë moment nga kuadro të
VLEN-it, shkruan FaktiDitor.mk
Ministria e Financave, edhe pse administron politikën fiskale të shtetit, disponon një buxhet
institucional prej rreth 70–80 milionë euro dhe renditet e teta sipas madhësisë së buxhetit të saj
administrativ. Edhe kjo ministri nuk ka qenë asnjëherë nën drejtimin e përfaqësuesve të partisë
shqiptare në pushtet.
Ndërkohë, ministritë e tjera, si Ministria e Kulturës dhe Turizmit, Ministria e Mjedisit Jetësor
dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale,
disponojnë buxhete që variojnë nga 10 deri në 35 milionë euro, duke u renditur ndër ministritë
me peshën më të vogël buxhetore në administratën shtetërore.
Nëse analiza mbështetet në fuqinë buxhetore dhe kapacitetin real të institucioneve, rezulton se
tetë ministritë me peshën më të madhe financiare në Maqedoninë e Veriut nuk drejtohen më nga
përfaqësues të VLEN-it pas rikonstruimit qeveritar. Si rrjedhojë, pretendimi se ky rikonstruim ka
forcuar ndjeshëm pozitën e shqiptarëve në ekzekutiv mbetet i debatueshëm dhe kërkon një
vlerësim më të thelluar, jo vetëm mbi numrin e ministrive të fituara, por edhe mbi rëndësinë
strategjike, kompetencat dhe burimet financiare që ato administrojnë. Në këtë këndvështrim,
ndikimi real politik dhe institucional nuk matet thjesht me numrin e dikastereve që i takojnë një
partneri të koalicionit, por me peshën buxhetore, kompetencat vendimmarrëse dhe aftësinë për të
orientuar politikat publike./FaktiDitor.mk

By admin7