Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, i ka kthyer letrën ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për ftesën që kjo iu dërgoi liderëve partiakë për një takim të përbashkët për të martën.
Gjini në këtë letër i tha Haxhiu se nuk është presidente e zgjedhur, prandaj s’mund ta luajë rolin unifikues.
“Ju nuk jeni Presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk keni mandat të luani rolin e unifikueses së spektrit politik”, i shkroi Gjini.
Ai më pas tha se Haxhiu dhe shefi i saj i partisë, Albin Kurti, nuk po e kërkojnë takimin për të gjetur zgjidhje, por për të gjetur fajtor “për vendimin tuaj që veçse e keni marrë, për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional”.
“Po t’i donit vërtet votat dhe kuorumin, i keni gjashtë pikat e Aleancës”, përfundoi Gjini.
Njoftimi i plotë i Aleancës:
Letra e Kryetarit të Aleancës, Ardian Gjini për takimin e ftuar nga deputetja Albulena Haxhiu.
E nderuar zonja Haxhiu,
Ju nuk jeni Presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk keni mandat të luani rolin e unifikueses së spektrit politik.
Ju e Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtor për vendimin tuaj që veçse e keni marrë, për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional.
Qëllimi juaj është më shumë se kaq. Ju doni ta zvarrisni këtë bllokadë deri te data që ju konvenon që të mbahen zgjedhjet.
Aleanca e ka kuptuar këtë lojë dhe nuk ju jep alibi.
Po t’i donit vërtet votat dhe kuorumin, i keni gjashtë pikat e Aleancës.
Ardian Gjini
Kryetar i Aleancës



