Gjykata vendos për “Shteklin” dhe katër të akuzuarit e tjerë në rastin për drogë

Në Gjykatën Penale në Shkup sot pritet të shpallet aktgjykimi për rastin kundër Rade Trajkovskit – “Shtekli” dhe edhe katër të akuzuarve të tjerë, të lidhur me një grup të organizuar kriminal për prodhim dhe trafikim të paautorizuar të kokainës dhe marihuanës.

Fillimisht në këtë rast ishin përfshirë 16 persona, nga të cilët shtatë kanë arritur marrëveshje me prokurorinë dhe janë dënuar me burg prej 3 deri në 3.5 vjet, ndërsa katër të tjerë kanë pranuar fajësinë dhe procedura për ta është ndarë.

Sipas aktakuzës, grupi ka vepruar në periudhën janar 2024 – janar 2025 dhe ka qenë i mirëorganizuar, me role të qarta të ndara – nga furnizimi deri te shitja e kokainës dhe marihuanës. Prokuroria pretendon se i akuzuari i parë, Rade Trajkovski – “Shtekli”, ka qenë organizatori dhe koordinatori i grupit, në kontakt me persona nga jashtë dhe ndërmjetës vendorë për furnizim me kokainë, duke dhënë udhëzime për zgjerimin e rrjetit.

Sipas provave të Prokurorisë, droga është ruajtur në banesa me qira, ndërsa është shitur me çmime nga 4.500 deri në 6.000 denarë për gram kokainë dhe 200 deri në 300 denarë për gram marihuanë. Komunikimi është zhvilluar përmes aplikacioneve të komunikimit të siguruar, si “Snapchat”, ndërsa prova kyçe janë siguruar përmes analizës së telefonave mobil.

Në fillim të procesit gjyqësor, i akuzuari Rade Trajkovski – “Shtekli” ka deklaruar se nuk e kupton aktakuzën, ndërsa të tjerët janë deklaruar të pafajshëm. Mbrojtja e Trajkovskit ka theksuar se do të provojë që ai nuk ka formuar apo organizuar grup kriminal dhe se nuk ka prova që ai ka dhënë udhëzime, duke pretenduar se akuzat e prokurorisë bazohen në supozime.

By admin7