Forcat speciale meksikane kanë arrestuar Audias Flores Silva, i njohur me nofkën “El Jardinero”, një nga drejtuesit rajonalë të Kartelit të Jalisco Nueva Generación (CJNG) dhe i konsideruar si një nga pasuesit e mundshëm të liderit të tij, “El Mencho”.
Operacioni vjen vetëm dy muaj pas largimit nga skena të bos-it të kartelit, duke shënuar një tjetër goditje të rëndësishme për rrjetin e fuqishëm të narkotrafikut në vend.
Sipas autoriteteve, mbi Flores Silva rëndonte një kërkesë ekstradimi drejt Shteteve të Bashkuara, ku ai ishte shpallur në kërkim dhe për të ishte vendosur një shpërblim prej 5 milionë dollarësh. Më herët, ai kishte vuajtur një dënim prej pesë vitesh burg për trafik droge në SHBA, përpara se të kthehej sërish në aktivitet kriminal.
“El Jardinero” dyshohet për trafik ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës, si dhe për përdorim të armëve të zjarrit. Ai konsiderohet si një figurë kyçe në operacionet e CJNG-së në zonat bregdetare të Paqësorit.
Sipas hetimeve, ai kishte rol në menaxhimin e laboratorëve të metanfetaminës, pistave të paligjshme ajrore dhe rrugëve të trafikut të drogës që lidhin Amerikën Qendrore me Meksikën dhe Shtetet e Bashkuara.
Autoritetet amerikane e lidhin gjithashtu organizatën me dërgimin e sasive të mëdha të fentanilit në territorin e SHBA-së gjatë viteve të fundit.

