Kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka premtuar se do ta realizojë projektin për lidhjen e Kosovës me furnizimet e gazit natyror të lëngëzuar amerikan (LNG).
Sipas tij, ky projekt është strategjik për sigurinë energjetike, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Hamza tha se Kosova nuk duhet të humbasë mundësinë për t’u bërë pjesë e rrjeteve rajonale të gazit natyror.
Ai vlerësoi se lidhja me gazin amerikan do të ndikonte në rritjen e sigurisë energjetike, tërheqjen e investimeve të reja, uljen e ndotjes së mjedisit dhe krijimin e kushteve për energji më të përballueshme për qytetarët dhe bizneset.
“Kjo është koha për të vepruar. Kosova duhet të ecë përpara, krah për krah me aleatin e saj më të madh dhe më të besueshëm: Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Hamza.


