Kryediplomati iranian bisedon me liderin e Hamasit, në fokus Palestina dhe zhvillimet rajonale

Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Abbas Araghchi, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Khalil al-Hayya, kreun e lëvizjes palestineze Hamas në Rripin e Gazës, ku është diskutuar për situatën në Palestinë dhe zhvillimet më të fundit në rajon.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme iraniane, Araghchi ka informuar për hapat diplomatikë dhe masat që Irani ka ndërmarrë për të kontribuar në uljen e tensioneve dhe ndaljen e luftës në rajon. Ai ka ritheksuar qëndrimin e Teheranit për mbështetjen e palestinezëve dhe të forcave që Irani i konsideron pjesë të rezistencës në rajon.

Reklame

Nga ana e tij, Khalil al-Hayya ka vlerësuar rolin e Iranit në mbështetjen e çështjes palestineze dhe ka falënderuar Teheranin për mbështetjen e vazhdueshme politike. Ai gjithashtu ka paraqitur një pasqyrë të situatës në Rripin e Gazës, duke u ndalur te zhvillimet e fundit në terren dhe gjendja humanitare e popullsisë.

Biseda mes dy zyrtarëve vjen në një kohë kur Lindja e Mesme vazhdon të përballet me tensione të larta dhe përpjekje ndërkombëtare për arritjen e armëpushimeve dhe stabilizimin e situatës në disa fronte.

Zhvillimet në Gaza dhe rajon mbeten në qendër të vëmendjes së diplomacisë ndërkombëtare, ndërsa palët vazhdojnë të shkëmbejnë qëndrime mbi mënyrat e mundshme për t’i dhënë fund konflikteve dhe krizave humanitare.

By admin