Në procesin gjyqësor për Masakrën e Reçakut, një nga dëshmitë më të rëndësishme është ajo e ish-shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili ka dëshmuar para Gjykatës Themelore në Prishtinë në kuadër të hetimeve për këtë rast.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2025 ndaj 21 personave të akuzuar për Masakrën e Reçakut, Walker ka rrëfyer në detaje mënyrën se si ishte njoftuar për ngjarjen, çfarë kishte parë në vendin e masakrës dhe veprimet që pasuan më 15 janar 1999.
Sipas dëshmisë së tij, në vitin 1998 ai kishte ardhur në Kosovë si kryesues i Misionit Verifikues të OSBE-së. Mbrëmjen e 15 janarit 1999, pasi ishte kthyer në Prishtinë nga Mali i Zi, ishte informuar nga zëvendësi i tij, gjenerali John Drewienkiewicz (i njohur si gjenerali Dizet), për një përleshje të raportuar në fshatin Reçak.
Sipas Walkerit, informacionet e para të dhëna nga autoritetet serbe flisnin për një betejë mes forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe, ku pretendohej se ishin vrarë 15 pjesëtarë të UÇK-së dhe se pala serbe nuk kishte pësuar humbje.
Megjithatë, kur ekipet verifikuese të OSBE-së shkuan në terren, situata e konstatuar ishte krejtësisht ndryshe nga ajo që ishte raportuar fillimisht. Walker ka përshkruar gjendjen e trupave të pajetë dhe skenën që kishte parë në Reçak, duke e cilësuar atë si një nga ngjarjet më tronditëse që kishte përjetuar gjatë misionit të tij në Kosovë.
Dëshmia e tij konsiderohet një nga provat kyçe në procesin gjyqësor që po zhvillohet për zbardhjen e plotë të ngjarjeve të Masakrës së Reçakut, një prej ngjarjeve më të rënda të luftës në Kosovë.


