Ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj, ka hedhur sërish kritika ndaj partisë në pushtet, lidhur me kontratën për riparimin e vagonëve të trenit, e cila i është dhënë një kompanie serbe.
Ai ka bërë me dije se asnjëherë më parë prania dhe ndikimi i Serbisë nuk kanë qenë më e theksuar brenda Kosovës.
Në profilin e tij në Facebook, Haradinaj ka shkruar se Qeveria Kurti po i ngjason gjithnjë e më shumë një “Qeverie Krahinore” nën hijen e Beogradit.
“Që nga çlirimi e deri më sot, asnjëherë më parë nuk kemi qenë më larg Shqipërisë, dhe asnjëherë më parë prania dhe ndikimi i Serbisë nuk kanë qenë më e theksuar brenda Kosovës. Ky regjim në ikje po i ngjason gjithnjë e më shumë një “Qeverie Krahinore” nën hijen e Beogradit, sesa udhëheqjes së një shteti sovran, të pavarur e dinjitoz.”, ka shkruar Haradinaj, duke vazhduar kritiken e tij.
“Kur sovranitetin ekonomik dhe atë energjetik ia dorëzon në duar Vuçiqit, dhe pavarësinë politike e trajton si një leckë duke shkelur ligjin, Kushtetutën e vendit, çfarë mund të pritet më shumë nga këta njerëz?! Nga këta njerëz që ditën shesin sovranizëm e patriotizëm me fjalë shqip, e natën kurdisin e punojnë për interesat e Serbise – 24/7.”, ka shkruar Haradinaj.



