‘Shkarkimi është pak’: Trainkos-i riparon vagonë gjysmë milionë euro në Serbi, opozita me reagime të ashpra

Vagonët e ndërmarrjes publike Trainkos, në pronësi të Qeverisë së Kosovës, janë riparuar në Serbi, me kosto rreth gjysmë milioni euro.

Këtë e konfirmon dokumentacioni i brendshëm i siguruar nga Nacionale, ndërsa vendimi është marrë gjatë vitit 2024.

Sipas dokumentit, komisioni për riparimin e mesëm të vagonëve kishte nisur punën në një punishte në Zrenjanin.

“Komisioni, sipas vendimit nr. 472 të datës 21.09.2024, ka filluar punën në punëtorinë remontuese Shin Voz d.o.o. në Zrenjanin më datë 07.11.2024”, thuhet në dokument.

Sipas tij, komisioni kishte nisur testimin e vagonëve në përputhje me Udhëzimin 266, pas përfundimit të riparimeve.

Rasti u bë publik pasi punëtori i Trainkos-it, Asdren Ademi, komentoi lidhur me punën e ndërmarrjes në një postim të Ministrisë së Industrisë.

Pas reagimit publik, ndaj Ademit u morën masa disiplinore, pasi ai kishte kërkuar përmes një komenti në Facebook të njoftoheshin qytetarët se riparimet ishin bërë në Serbi.

Dokumenti i brendshëm njofton drejtuesit e Trainkos-it se anëtarët e komisionit kishin udhëtuar në Serbi për mbikëqyrjen e punëve.

Rasti ka nxitur reagime nga opozita, veçanërisht ndaj ministres së Industrisë, Artane Rizvanolli.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, e ka kritikuar ministren për këtë veprim.

“Kjo është turp për ty ministre,” shkroi Haradinaj në reagimin e tij.

“Demantoje që nuk është e vërtetë ajo që po thotë. Ama, mos harro, mandati të përfundon, ndërsa ajo që ke bërë do të të përcjellë gjithmonë,” shtoi ai.

Reagim pati edhe nga Burim Ramadani, po nga AAK-ja, i cili e lidhi rastin me zhvillimet pas sulmit në Banjskë.

“Pas sulmit në Banjskë, pushteti biznes direkt në Serbi”, shkroi Ramadani.

“I japin kontratë Serbisë. Shkojnë në Serbi për renovim të vagonëve. Krejt kjo në vitin 2024”, deklaroi ai.

Ramadani kritikoi edhe masat ndaj punëtorit që e bëri rastin publik.

“Paratë e popullit të Kosovës i çuan në Serbi! Kur një punëtor i brendshëm e thotë këtë publikisht, në vend që të shkarkohet ministrja, e heqin prej pune punëtorin! Tash SHKARKIMI ËSHTË PAK!”, tha ai.

By admin7