Pesë vjet, tre prokurore dhe dy qeveri e groposën rastin e zjarrit në spitalin modular në Tetovë

Procedura parahetimore jo efikase dhe fokusi i aktiviteteve prokuroriale vetëm te dëmet financiare ndaj buxhetit janë arsyet kryesore të prokurores Berzhecka Krsteva dhe shefit të saj Islam Abazi për mbylljen e këtij hetimi. Hetimi ishte drejtuar për vepër penale që në vitin 2023 u fshi nga Kodi Penal kur në pushtet ishte LSDM-ja. Ky rast prokurores Berzhecka Krsteva iu caktua nga Prokurori publik i shtetit Nenad Saveski. Në mënyrë të ngjashme dhe me një prokuror të ri kompetent të emëruar nga Saveski u hodh poshtë edhe rasti për blerjen e naftës në TEC Negotinë kundër të dyshuarit Ratko Kapushevski, transmeton Portalb.mk nga IRL.

Pas pesë vitesh heshtjeje mbyllet rasti në të cilin ishin të përfshirë Filipçe dhe Angjushev
Pas pesë vitesh në procedurë parahetimore Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e mbylli dosjen “Spitali Modular” dhe nuk gjeti fajtorë për një nga tragjeditë më të mëdha kombëtare. Asnjë nga zyrtarët shtetërorë përgjegjës dhe individët e përfshirë nga komuniteti i biznesit nuk do të mbahen përgjegjës për vdekjen e 14 viktimave në zjarrin në spitalin modular në Tetovë. Vendimi u njoftua nga prokurorja që e udhëheq çështjen, Berzhecka Krsteva, e shoqëruar nga shefi i saj nga Prokuroria për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi.

“Nuk ka veprime të tejkalimit, as të mospërmbushjes së detyrave zyrtare, e as nuk është dëmtuar buxheti“, tha në fillim të brifingut me gazetarët prokurorja kompetente Verica Berzhecka Krsteva.

Prokurorja shpjegoi se hetimi paraprak kishte qenë i orientuar vetëm drejt keqpërdorimeve të mundshme financiare dhe keqpërdorimeve të pozitës zyrtare gjatë furnizimit të 19 spitaleve modulare që u përdorën për hospitalizimin e pacientëve me COVID.

Ajo nuk ka gjetur asnjë paligjshmëri që nga fillimi i shpalljes së tenderëve për prokurimin e spitaleve modulare, e deri te mënyra e realizimit, vendosjes dhe dorëzimit në posedim të komunave.

“Prokuroria nuk vërtetoi fakte nga të cilat do të rrjedhonte se në procedurat e prokurimit ndonjë person zyrtar e ka shfrytëzuar apo tejkaluar pozitën ose autorizimin zyrtar, gjegjësisht nuk e ka kryer detyrën zyrtare, me qëllim që të sigurojë dobi të konsiderueshme pasurore ose të shkaktojë dëm të konsiderueshëm“, deklaroi prokurorja Berzhecka Krsteva.

Gjatë krizës së COVID qeveria e atëhershme e kryeministrit Zoran Zaev shpalli tender ndërkombëtar për prokurimin e spitaleve modulare. Ministrinë e Shëndetësisë e udhëhiqte Venko Filipçe, ndërsa kompania që u zgjodh në tender me ofertën më të favorshme ishte “Brako“ e ish-zëvendëskryeministrit Koço Angjushev.

Që të realizohet shpejt dhe me urgjencë procedura e tenderit qeveria e atëhershme, ministritë përkatëse dhe Kuvendi ndryshuan disa ligje për ndërtim, me çka u mundësua që të mos ekzistojnë kurrëfarë mekanizmash kontrollues për mënyrën e ndërtimit dhe sigurinë e objekteve ku trajtoheshin qindra pacientë me COVID.

By admin7