Haxhiu: Duhet të gjendet një president konsensual, LVV-ja shpreh gatishmërinë

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mbajtur konferencë për media pas takimit me liderët e subjekteve politike, ku është diskutuar për situatën politike dhe mundësinë e tejkalimit të ngërçit institucional.

“Sapo përfundova takimin me liderët e subjekteve politike që iu përgjigjën pozitivisht ftesës time për takim. Qëllimi i këtij takimi ishte që, në rrethanat që jemi, të shohim a kemi ndonjë rrugë për të ecur bashkë përpara. I falënderoj kryetarët e subjekteve politike që ishin të pranishëm”, tha Haxhiu.

Ajo theksoi se aktualisht ekzistojnë dy qëndrime të ndryshme politike sa i përket mënyrës së konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së presidentit.

“Të nderuara media, ju e dini që para nesh janë dy qëndrime politike. Qëndrimi i LVV-së dhe partnerëve është që, nëse hyjmë në konstituim të Kuvendit pa ndonjë marrëveshje për presidentin, mund të përsëritet kriza e vitit të kaluar. Në anën tjetër, kemi qëndrimin e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së që të hyjmë me konstituimin e kuvendit dhe pastaj të flitet për presidentin”, u shpreh ajo.

Haxhiu tha se gjatë takimit ka dëgjuar qëndrimet e të gjitha subjekteve politike dhe se, sipas saj, ekziston nevoja për kompromis për të shmangur zgjedhjet e reja.

“Sot kam dëgjuar qëndrimet e subjekteve politike. Të gjitha ishin që duhet të kontribuojmë maksimalisht për çështjen e marrëveshjes për presidentin dhe të shmangen zgjedhjet. Nuk pres që partitë politike të pajtohen për gjithçka. Nëse nuk mund të merremi vesh sot, nuk kemi garanci që një palë zgjedhjet e reja do të na bëjnë të merremi vesh nesër”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë takimit ka theksuar se i ka votat e nevojshme për kryetar të Kuvendit, ndërsa çështja kryesore mbetet marrëveshja për presidentin.

“Kryeministri Kurti e theksoi që i ka votat për kryetar të kuvendit dhe çështja është te marrëveshja për presidentin”, tha u.d. e presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Haxhiu bëri thirrje që partitë politike të nisin diskutimet me emra konkretë për një president konsensual, duke theksuar se kjo do të mund të ndihmonte në tejkalimin e ngërçit politik.

Derisa nënvitzoi se Lëvizja Vetëvendosje ka përsëritur qëndrimin se është e gatshme për një president konsensual, me qëllim që të shmangen zgjedhjet e reja dhe të gjendet një zgjidhje për krizën institucionale.

By admin7