I vazhdohet paraburgimi Rexhep Selimit në Hagë

Gjykata e Hagës ka marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Rexhep Selimit. Megjithatë, Trupi Gjykues ka rrëzuar pretendimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar se ekziston rrezik për arratisjen e tij.

Sipas vendimit zyrtar, Gjykata ka konsideruar se ekziston rreziku për ndërhyrje në procesin gjyqësor dhe për kryerjen e veprave të tjera penale, por ka refuzuar argumentin e prokurorisë për mundësinë e ikjes.

“Prandaj, megjithëse rreziku i arratisjes nuk mund të përjashtohet plotësisht, Trupi Gjykues vlerëson se vazhdimi i paraburgimit të z. Selimi nuk mund të justifikohet në këtë fazë mbi bazën e rrezikut të arratisjes, siç parashihet në nenin 41(6)(b)”, thuhet në shkresën e Gjykatës.

Po ashtu, në arsyetim theksohet se Rexhep Selimi vazhdon të jetë një figurë me ndikim në Kosovë dhe se nuk mund të lirohet edhe për shkak të informacioneve që ai zotëron si rezultat i vetë procesit të gjykimit.

Në dispozitivin e vendimit të datës 28 korrik 2026, të nënshkruar nga kryetari i Trupit Gjykues, gjyqtari Charles L. Smith III, Gjykata ka urdhëruar: Vazhdimin e mëtejshëm të paraburgimit për z. Rexhep Selimi.

Udhëzimin për mbrojtjen e Selimit që të dorëzojë një version publik të redaktuar të njoftimit për heqjen dorë nga rishikimi i paraburgimit (ose kërkesën për riklasifikim) deri më të premten, 21 gusht 2026.

Gjithashtu, meqenëse më 16 shtator pritet të merret vendimi i shkallës së parë, Trupi Gjykues ka udhëzuar palët që të mos përgatisin parashtresa të tjera për rishikimin e masës së paraburgimit.

By admin7