Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin e vitit 2007 me të cilin sheshi i Tetovës dhe disa rrugë të qytetit morën emra në gjuhën shqipe dhe emra të figurave historike shqiptare. Vendimi është miratuar me 5 vota “për”, ndërsa dy gjyqtarët shqiptarë dhe ai i turk kanë votuar “kundër”.
Me këtë vendim, emërtimet e vendosura para gati dy dekadash pushojnë së vlejturi dhe rikthehen emrat e mëparshëm të rrugëve dhe sheshit nga periudha komuniste. Kështu, sheshi “Iliria” quhet “Marshall Tito”, rruga “Dervish Cara” rikthehet në akronimin e ushtrisë jugosllave “JNA”, ndërsa “Mehmet Pashë Deralla” rikthehet në “29 Nëntori”.
Kushtetuesja e solli këtë vendim pas nismës së parashtruar nga Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945, në fillim të këtij viti.
“Në seancën e sotme, Gjykata Kushtetuese vendosi ta pranojë Nismën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Vendimit të Këshillit të Komunës së Tetovës nr. 07-766, të datës 24.04.2007, të cilën e dorëzuam së bashku me Lidhjen e Luftëtarëve të LNÇ-së së Tetovës më 11.02.2025, dhe e shfuqizoi vendimin e paligjshëm”, ka shkruar Darijan Sotirovski.
Ky vendim ka ngjallur reagime të forta politike. Sekretari Gjeneral i BDI-së, Arbër Ademi, kritikat i drejtoi në adresë të VLEN-it, të cilën e quan partia “NISHTO” (shq. ASGJË), e cila sipas tij, po na kthen çdo ditë mbrapa dhe se çdo ditë po sillet një vendim më shumë kundër të arriturave të pasvitit 2001.
“Ju pengojnë emrat si sheshi ILIRIA, DËSHMORËT E KOMBIT, DERVISH CARA, KONGRESI I MANASTIRIT etj. Pa asnjë bazë të qëndrueshme juridike. Pa asnjë arsye të logjikshme. Thjesht sepse munden. E munden sepse kanë gjetur disa që për një kolltuk shesin gjithçka: historinë, dinjitetin dhe interesin kombëtar. Kjo është fytyra e vërtetë e pushtetit të sotëm. Le t’i gëzojnë tash përsëri emrat si Marshalli Tito, se edhe ashtu poezi i kanë kushtuar”, shkruan Arbër Ademi nga BDI.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vjen sipas nismës e cila konsideron se Këshilli i Komunës së Tetovës i ka ndryshuar emrat pa pëlqimin e Qeverisë, në kundërshtim me Ligjin për caktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, i cili ishte miratuar në vitin 2004 në Kuvend. Ata kanë kërkuar që kuptimi i rrugëve të jetë vetëm në maqedonisht.

