Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sabit Geci ka thënë se është e palogjikshme t’i atribuohet Hashim Thaçit vrasja e ish-anëtarit të Lëvizjes Popullore të Kosovës, Behajdin Allaqit.
Rasti i Allaqit u përmend nga trupi gjykues i Gjykatës Speciale në shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj ish-katër krerëve të UÇK-së të mërkurën. Sipas trupit gjykues, Allaqi u vra nga UÇK-ja.
Por, ish-eprori i UÇK-së, Sabit Geci ka deklaruar të enjten se Hashim Thaçi, ish-presidenti i Kosovës i dënuar të mërkurën me 25 vjet burgim për krime lufte, nuk ka pasur asnjë lidhje me “ato gjëra”.
“Po, e kam njohur shumë mirë [Behajdin Allaqin]. Por, ta akuzosh Hashim Thaçin për Behajdin Allaqin – apo një ushtar të UÇK-së për një luftëtar… se dëgjo, unë i kam pasur informacionet – mos t’i cek me emra – edhe për disa persona dhe ju kam thënë shokëve të mi që ‘filani, filani janë të implikuar në strukturat tona’”, tha fillimisht Geci në një deklaratë në Kanal 10.
Geci ka treguar se për vrasjen e Behajdin Allaqit ishte akuzuar Selim Krasniqi, një ish-ushtar i UÇK-së, i cili pastaj doli i pastër nga akuzat.
“Behajdin Allaqi ka qenë në LPK. Ka qenë në struktura të UÇK-së. Por, më duket se në strukturat udhëheqëse të luftës nuk ka qenë. Unë kam pyetur për Behajdinin, Thaçi më ka thënë po më akuzojnë mua. Një person ka qenë në burg për këtë person, ka dal i pastër. Bëhet fjalë për një familje të shenjtë – Selim Krasniqin, nga një familje e shenjtë, një luftëtar nga një familje dem baba dem dhe me traditë kombëtare. E kanë akuzuar për Behajdin Allaqin, por ka dal i pastër se nuk ka dorë fare”, ka rrëfyer ai.
“Tash, a janë të paguar disa anëtarë të familjes [të Behajdin Allaqit, v.j], nuk dua të hy fare.. apo kanë ndërhyrë spiunët dhe kanë bërë përçarje në familje, s’mund ta them. Por, deklarata e gruas së Behajdinit dhe deklarata e motrës janë në kontradiktë, por mua të më bind që Hashim Thaçi e ka vrarë Behajdin Allaqin apo e ka vrarë dikënd, është e palogjikshme. Nuk është i natyrës; nuk e ka pasur atë funksion që të ketë lidhje me ato gjëra. Asnjë lidhje nuk e ka pasur”, ka thënë Geci.
Gjykata Speciale me seli në Hagë ka dënuar Thaçin dhe Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Veselin me 18 vjet dhe Selimin me 13 vjet burgim.
Të gjithë janë dënuar për krime lufte, ndërsa janë shpallur të pafajshëm për krime kundër njerëzimit. /Paparaci.com



