Në nderim të aktivistes për të drejtat e njeriut dhe ish-deputetes Flora Brovina, e cila ndërroi jetë të martën, sot janë zhvilluar homazhe dhe ceremonia përkujtimore në hollin e Kuvendit të Kosovës.
Brovina ishte një nga figurat e njohura të rezistencës dhe jetës publike në Kosovë. Në vitin 1992, ajo themeloi Lidhjen e Gruas Shqiptare, përmes së cilës u angazhua për të drejtat e grave dhe fëmijëve, si dhe për ndihmë humanitare.
Gjatë luftës në Kosovë, Brovina qëndroi në Prishtinë, ku vijoi veprimtarinë e saj humanitare dhe mjekësore.
Më 20 prill 1999, ajo u arrestua nga forcat serbe dhe u burgos në Serbi. Në dhjetor të vitit 1999, një gjykatë në Nish e dënoi me 12 vjet burgim nën akuzat për veprimtari terroriste.
Vendimi u anulua më vonë nga Gjykata Supreme e Serbisë dhe çështja u kthye për rigjykim.
Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e konsideruan rastin e saj politik dhe kërkuan lirimin e saj. Pas rreth 19 muajsh në burg, Brovina u lirua në nëntor të vitit 2000.
Për veprimtarinë e saj, ajo është nderuar me disa çmime ndërkombëtare.
Flora Brovina do të varroset sot në varrezat e lagjes “Arbëria” në Prishtinë.



