Federata Italiane e Futbollit ka konfirmuar se ka zhvilluar bisedime me Pep Guardiolën, i cili konsiderohet kandidati kryesor për të marrë drejtimin e kombëtares italiane.
Sipas raportimeve, një delegacion i nivelit të lartë italian, i udhëhequr nga Paolo Maldini dhe Leonardo, ka zhvilluar takime me trajnerin spanjoll në Barcelonë gjatë disa ditëve, shkruan IndeksOnline.
Gjatë këtyre takimeve, drejtuesit italianë i kanë paraqitur Guardiolës projektin për rindërtimin e “azzurrëve”, pas një periudhe të vështirë të karakterizuar nga rezultate zhgënjyese.
Raportohet se federata është e gatshme t’i ofrojë Guardiolës kushte të veçanta pune për ta bindur të pranojë detyrën, mes tyre përfshihet mundësia që ai të vazhdojë të jetojë jashtë Italisë, si edhe një fleksibilitet më i madh në organizimin e punës, në përputhje me specifikat e futbollit të kombëtareve.
Guardiola mbetet objektivi kryesor i Federatës Italiane, e cila synon të rikthejë Italinë mes ekipeve elitare të futbollit botëror. Megjithatë, deri tani nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare dhe bisedimet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim./IndeksOnline/



