Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në një intervistë të publikuar mbrëmjen e së premtes, zbuloi prapaskena nga negociatat e Lumir Abdixhikut dhe Vjosa Osmanit me Albin Kurtin për kandidatin konsensual për president.
Haziri në Vox Kosova fillimisht zbuloi se Abdixhiku, qysh nga fillimi, që nga konferenca ku prezantoi emrin e Bekim Sejdiut për president, e dinte se nuk i kishte të gjitha votat e nevojshme nga deputetët e LDK-së.
“Po, dhe para atij takimi, në bisedë me Abdixhikun, nuk është çështje e orëve, e ditëve. E kam thënë që bashkëpunimi në GP e determinon bashkëpunimin me partnerë të tjerë, në këtë rast me VV-në. Nëse nuk e arrijmë të ndërtojmë unitet funksional dhe të besueshëm, LDK-ja duhet ta ketë parasysh se nuk mund të përballohet në procese të tjera”, tha ai.
Më pas, nënkryetari dhe deputeti i LDK-së njoftoi se Bekim Sejdiu nuk ka qenë vetëm propozim i kësaj partie, por edhe i Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit, ndonëse Abdixhiku kishte tentuar ta paraqiste këtë situatë ndryshe.
“Edhe i LDK-së ka qenë, jo vetëm i LDK-së. Modeli që e kemi përcaktuar ka qenë ky: secila palë nga tri propozime, së paku në biseda, dhe më pas së bashku të determinojmë një emër. LDK-ja ka dalë me tri propozime, VV-ja me 10 propozime. Nga 13 propozime, vetëm një emër ka qenë në dy lista i përfshirë dhe kjo ka qenë përcaktuese”, tha Haziri.
Kreu i LDK-së, në një intervistë të dhënë para pak ditësh në Kanal 10, tha se Bekim Sejdiu është “LDK në thelb”, madje kishte shprehur edhe frikën se “VV-ja do të tërhiqej nga marrëveshja në momentin e fundit”.
“Bekim Sejdiu është LDK në thelb, rugovist në bindje”, tha Abdixhiku.
“Kam pasur frikë se në momentet e fundit Lëvizja Vetëvendosje do ta prishte marrëveshjen”, deklaroi ai.
Kreu i LDK-së në vazhdimësi ka dhënë deklarata kundër gjashtë deputetëve të partisë së tij, të cilët publikisht deklaruan se nuk e përkrahin emrin e Bekim Sejdiut për president, duke tentuar t’ua lërë fajin atyre nëse vendi shkon në zgjedhje.
Megjithatë, Haziri bëri me dije se, përveç tyre, janë edhe disa deputetë të tjerë të LDK-së me hezitime serioze rreth kësaj marrëveshjeje.
“Më e rëndësishme është LDK-ja për mua sesa një emër i përveçëm. Pse duhet ta japim LDK-në për një emër, pse duhet të bëhet më i vlefshëm një emër se 10 vetë? Nuk ka këtu gjashtë vetë, janë edhe gjashtë të tjerë me hezitime serioze që bëjnë 12”, tha ai.



