Kadri Kryeziu alarmon: Abstenimi po i shërben të tjerëve, jo Kosovës

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje, duke u bërë thirrje qytetarëve që të dalin në votime dhe të mos qëndrojnë pasivë.

Duke iu referuar të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrjen deri në orën 11:00, Kryeziu ka theksuar se ekziston një dallim i dukshëm mes komunave me shumicë shqiptare dhe atyre me shumicë serbe.

🗳️ Përparim Rama pas votimit: Demokracia është fituar me gjak, dilni dhe votoni

Sipas tij, në komunat shqiptare pjesëmarrja ka qenë rreth 8 deri në 9 për qind, ndërsa në komunat me shumicë serbe rreth 17 deri në 18 për qind.

“E di që ka qytetarë të revoltuar, të lodhur, që s’duan të dalin fare në zgjedhje. Por shihni një herë shifrat e KQZ-së për daljen deri në orën 11:00”, ka shkruar ai.

Kryeziu ka vlerësuar se kjo diferencë nuk është rastësi, por rezultat i një organizimi të mirë politik dhe elektoral, duke paralajmëruar se mospjesëmarrja në votime nuk përbën protestë efektive.

“Abstenimi nuk është protestë. Është një ulëse e lënë bosh, që dikush tjetër do ta mbushë për ty”, është shprehur ai.

Në reagimin e tij, Kryeziu ka përmendur edhe politikanin serb të Kosovës, Nenad Rashiq, duke e paraqitur atë si një alternativë për qytetarët që nuk dëshirojnë të votojnë partitë shqiptare.

Ai ka përfunduar mesazhin e tij me thirrjen që qytetarët të organizohen dhe të marrin pjesë në procesin zgjedhor, duke theksuar se mbrojtja e Kosovës bëhet edhe përmes votës.

“Kosova nuk mbrohet vetëm me institucione. Mbrohet me organizim qytetar dhe me patriotizëm”, ka shkruar Kryeziu.

By admin