🗳️ Përparim Rama pas votimit: Demokracia është fituar me gjak, dilni dhe votoni

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pasi ushtroi të drejtën e tij të votës, u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të dalin dhe të marrin pjesë në procesin zgjedhor.

Në deklaratën e tij për media, Rama theksoi se demokracia në Kosovë nuk është fituar lehtë, por është rezultat i sakrificave të mëdha ndër vite.

“Demokracia nuk është diçka që na ka pikë prej qiellit. Është një proces që është fituar me gjak dhe sfida të ndryshme, prandaj nuk duhet ta trajtojmë si të mirëqenë”, deklaroi ai.

Sipas Ramës, dita e zgjedhjeve është momenti kur çdo qytetar duhet të shfrytëzojë fuqinë e votës për të kontribuar në forcimin e demokracisë dhe zhvillimin e shtetit.

Ai theksoi se qytetarët duhet të mbështesin proceset demokratike, bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës.

“Është dita kur secili qytetar duhet ta shfrytëzojë të drejtën, forcën dhe fuqinë e vet për të votuar për një shtet demokratik”, u shpreh Rama.

Kryetari i Prishtinës shtoi se për të çuar vendin përpara është e rëndësishme që përgjegjësitë t’u besohen atyre që kanë vullnetin, dijen dhe aftësinë për të udhëhequr proceset zhvillimore.

Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve të dalin në votime dhe të japin kontributin e tyre në këtë proces demokratik.

“Besimi juaj është me rëndësi të madhe. Shfrytëzojeni rastin dhe votoni. Na priftë e mbara të gjithëve së bashku”, përfundoi Rama.

By admin