Bashkëkryetari i koalicionit VLEN dhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka marrë pjesë në pritjen solemne të organizuar në Prishtinë me rastin e 21-vjetorit të themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kasami bëri të ditur se pjesëmarrja e tij në këtë aktivitet erdhi me ftesë të kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
“Sonte, me ftesë të kryetarit Albin Kurti, mora pjesë në pritjen solemne të organizuar me rastin e 21-vjetorit të themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka shkruar Kasami.
Ai vlerësoi rrugëtimin e Vetëvendosjes gjatë dy dekadave të fundit, duke theksuar se lëvizja ka ndërtuar identitetin e saj politik mbi parimet e demokracisë, pjesëmarrjes qytetare dhe përfaqësimit institucional.
Kasami uroi anëtarët, aktivistët dhe mbështetësit e kësaj force politike për jubileun, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm në historinë politike të Kosovës.
Në ceremoninë e organizuar në Prishtinë morën pjesë përfaqësues institucionalë, liderë politikë dhe personalitete të ndryshme nga rajoni, ndërsa u kujtua rrugëtimi 21-vjeçar i Lëvizjes Vetëvendosje nga një lëvizje qytetare në forcën kryesore politike në Kosovë, përcjell Faktiditor.info.
“Tokat tona nuk kanë çmim 3 euro” – Banorët e Reçicës ngrihen në protestë për Korridorin 8

