KEMI NGELUR NË VENDNUMËRO!

Jemi bërë dëshmitarë të një status quo-je që po zgjatet përtej çdo kufiri të arsyes. Çdo ditë flitet për ngecje, zhgënjim, pasiguri dhe largimin e të rinjve. Ndërsa qytetarët presin një jetë më të mirë, politika vazhdon të sillet sikur koha të ketë ndaluar.

Në një shtet multietnik, në vend që dallimet të shndërrohen në forcë për bashkëpunim, ato shpesh përdoren si instrument për frikë dhe përçarje. Njëra palë ushqehet me frikën se po rrezikohet identiteti dhe shteti, pala tjetër ushqehet me shpresën se integrimi evropian një ditë do t’i zbehë kufijtë që ndajnë shqiptarët.

Por qytetarët nuk jetojnë me mite politike. Ata jetojnë me paga, pensione, çmime, vende pune, arsim, shëndetësi, drejtësi dhe perspektivë për fëmijët e tyre.

Një shtet nuk mund të mbahet peng pafundësisht nga frika e tjetrit.

As maqedonasit nuk duhet të jetojnë me frikën e shqiptarëve, as shqiptarët nuk duhet të presin që të ardhmen t’ua ndërtojnë vetëm proceset historike. E ardhmja ndërtohet me institucione funksionale, barazi, përgjegjësi politike dhe vendime që e nxjerrin vendin nga bllokada.

Edhe çështjet ndëretnike dhe historike nuk duhet të shndërrohen në arsye për konflikte të reja. Historia e rajonit ka treguar se konfliktet, kur ndodhin, në fund kërkojnë zgjidhje politike. Prandaj rruga politike duhet të jetë gjithmonë më e fortë se logjika e konfrontimit.

Përpara nuk na çon nacionalizmi i përditshëm, por një shtet ku qytetari ndihet i barabartë dhe ku politika matet me rezultate.

Sa i përket rrugës evropiane, BE-ja e ka bërë të qartë se ndryshimet kushtetuese të dakordësuara, për përfshirjen e komuniteteve të tjera në Kushtetutë, përfshirë bullgarët, janë pjesë e hapit të nevojshëm për avancimin e procesit të anëtarësimit.

Pra, pyetja nuk është vetëm kush po fiton politikisht nga kjo bllokadë?

Pyetja më e rëndësishme është:

Kush po paguan çmimin e saj?

Çmimin e paguajnë qytetarët.
E paguajnë të rinjtë që largohen.
E paguan ekonomia.
E paguan besimi në institucione.
E paguan e ardhmja e vendit.

Një vend që nuk ecën përpara, gradualisht fillon të ecë prapa.

Maqedonia e Veriut nuk ka nevojë për një konflikt të ri politik e ndëretnik. Ka nevojë për vendime, reforma, përgjegjësi dhe një drejtim të qartë evropian. Edhe Komisioni Evropian në vitin 2026 ka theksuar nevojën për dialog politik konstruktiv, bashkëpunim ndërpartiak dhe përparim në reformat që lidhen me integrimin evropian.

Qytetarët nuk kërkojnë mrekulli. Kërkojnë që shteti të ecë.

Dhe pas kaq shumë vitesh pritjeje, pyetja nuk është më a mundemi?

Pyetja është: deri kur do të presim?