Qytetarët që qarkullojnë në rrugën nga qyteti në drejtim të Vizbegut dhe qarkores së Shkupit po përballen prej më shumë se dy muajsh me një problem që ende nuk është zgjidhur nga institucionet.
Uji që rrjedh nga një park përreth del vazhdimisht në rrugë, duke krijuar një zonë të gjatë të mbuluar me ujë. Sipas banorëve, uji ka përfshirë rreth 500 metra të rrugës, duke e vështirësuar qarkullimin dhe duke shkaktuar shqetësime të përditshme për drejtuesit e automjeteve.
“Kush do ta ketë veturën e larë, më mirë të mos kalojë nga kjo rrugë”, shprehen me ironi qytetarët, të cilët thonë se edhe pasi e pastrojnë veturën, pas kalimit në këtë pjesë ajo sërish përfundon e mbuluar me ujë dhe papastërti.
Problemi, sipas banorëve, është bërë tashmë i përditshëm. Disa prej tyre janë drejtuar edhe te Fakti Ditor, duke kërkuar që shqetësimi i tyre të bëhet publik dhe institucionet përgjegjëse të reagojnë.
Përveç ndotjes së automjeteve, prania e vazhdueshme e ujit në rrugë paraqet edhe problem për sigurinë në komunikacion, sidomos gjatë natës dhe në kushte të këqija atmosferike.
Fakti Ditor u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të dalin në terren, të konstatojnë shkakun e rrjedhjes së ujit dhe të ndërmarrin masa për zgjidhjen e problemit.
Qytetarët kërkojnë një zgjidhje konkrete, pasi, siç thonë ata, nuk është normale që një pjesë e rrugës të mbetet e përmbytur për më shumë se dy muaj, pa ndërhyrjen e institucioneve.


