Lajmet e fundit
Tragjedi në Gjermani: Babai dhe vajza 3-vjeçare humbin jetën në aksident, shoferi i kamionit largohet Një aksident i rëndë trafiku në autostradën A3, pranë Emmerichut në Gjermani, ka përfunduar tragjikisht me vdekjen e një 36-vjeçari dhe vajzës së tij vetëm trevjeçare. Aksidenti ka ndodhur të hënën në mbrëmje, në drejtim të Këlnit. Sipas policisë gjermane, një kamion që po kalonte nga korsia e djathtë në të majtën dyshohet se nuk ka vërejtur një automjet Volkswagen Golf që po lëvizte në atë pjesë të autostradës. Shoferi i Golfit ka tentuar të shmangë përplasjen, por ka humbur kontrollin mbi automjetin. Vetura është përmbysur, duke shkaktuar pasoja të rënda. 36-vjeçari ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa vajza e tij trevjeçare dhe partnerja e tij 26-vjeçare, e cila ishte shtatzënë, kanë pësuar lëndime të rënda. Vajza është dërguar në spital, por për shkak të plagëve të marra nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë më vonë. Sipas raportimeve të mediave gjermane, 26-vjeçarja tashmë nuk është në rrezik për jetën. Policia në kërkim të shoferit të kamionit Hetuesit dyshojnë se aksidenti është shkaktuar nga kamioni. Drejtuesi i tij dyshohet se ka frenuar pas përplasjes, por më pas është larguar nga vendi i aksidentit pa pritur policinë. Dëshmitarët kanë përshkruar kamionin si një mjet me ngjyrë të errët dhe targa bullgare. Rimorkioja dyshohet se kishte targa holandeze dhe transportonte një kontejner të kuq. Policia gjermane ka nisur kërkimet për identifikimin dhe gjetjen e kamionit dhe drejtuesit të tij. Deri tani, ai ende nuk është lokalizuar. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit janë duke vazhduar.
14 Sep 2026, Mon

Kërkohet të bëhen analiza urgjente të ujit, ngordhin peshqi në Lumin Treska

Në lumin Treska në rajonin e Kërçovës janë regjistruar ngordhje peshqish, njoftoi mbrëmë Shoqata e Peshkimit Sportiv “Hunter Fish”, duke kërkuar një reagim të menjëhershëm nga institucionet kompetente.

Nga Shoqata thonë se shkaku i ngordhjeve ende nuk është përcaktuar dhe kërkon që menjëherë të merren mostra të ujit dhe peshqve të ngordhur dhe të kryhen analiza laboratorike.

Sipas tyre, është e nevojshme të hetohen të gjitha shkaqet e mundshme, përfshirë ndotjen e mundshme ose ndërhyrje të tjera që mund të rrezikojnë botën e gjallë në lumë.

“Çdo ndotje, helmim ose ndërhyrje tjetër që kërcënon jetën në lumë duhet të hetohet plotësisht dhe të përcaktohet shkaku dhe përgjegjësia”, thonë nga “Hunter Fish”.

Shoqata u kërkon institucioneve kompetente të marrin masa për të mbrojtur Treskën në mënyrë që të parandalohen raste të ngjashme në të ardhmen.