Xhuliana Nura, e cila ndodhet aktualisht në spital në Zvicër në pritje të ëmbël për të sjellë në jetë dy binjakët e saj, ka bërë disa reagime mjaft emocionale në rrjetet sociale lidhur me “Marshin për Liri” që po mbahet sot në sheshin e Prishtinës.
Kjo protestë gjithëpopullore organizohet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë – përfshirë Hashim Thaçin e Kadri Veselin – në prag të datës vendimtare për procesin e tyre gjyqësor.
Në pamundësi për të qenë fizikisht e pranishme në Prishtinë për shkak të gjendjes së saj, Xhuli ka ndarë me ndjekësit e saj në InstaStory emocionet e mëngjesit të sotëm, tek ka përcjellë pamjet e qytetarëve që po grumbullohen nga të gjitha anët.
Në videon e saj të parë, ajo shprehet e përlotur teksa sheh mobilizimin e njerëzve:
“Mirëmëngjesi, mirëmëngjesi! Shpresoj që keni fjetur mirë. Unë për veti prej 8-ve të mëngjesit jam duke i shikuar videot në TikTok dhe Instagram që po postohen për njerëzit tanë që po vijnë prej çdo shteti sot për marshin e lirisë, drejtësisë, të lavdishme Ushtrisë tonë të UÇK-së,” ka thënë ajo.
Më tej, Nura ka bërë thirrje për bashkim kombëtar duke kërkuar që të lihen mënjanë bindjet politike:
“Sot nuk ka rëndësi e cilës parti je. Sot ka rëndësi nëse ti e ndjen veten shqiptar dhe sado pak përulesh për gjakun e derdhur, për lirinë që sot ti jeton në Kosovë i lirë, flet shqip, shkon në shkollë, edukon fëmijët tanë, shkon në punë, ti duhesh me dalë sot në marsh.”
Ajo ka shtuar gjithashtu me keqardhje: “Zakonisht unë gjithmonë jam në këto mbledhjet e marshat, por fatkeqësisht jam në spital, nuk mund të jem pjesë. Kombi vjen para familjes.”
Në videon e dytë, Xhuli është ndalur te rëndësia e kësaj date dhe pastërtia e luftës çlirimtare, duke nëvizuar se sakrifica e UÇK-së i tregoi botës drejtësinë e kauzës shqiptare:
“Kjo datë i tregon botës që ne jemi të pastër, ka qenë lufta jonë. Lëvizja e Ushtrisë Më të Lavdishme ka qenë vetëm e mbrojtjes tonë, nuk ka qenë asgjë më shumë përveç me mbrojt familjet tona në trojet tona dhe me jetu të lirë me gjuhën tonë edhe me historinë tonë,” është shprehur ajo.
Në përmbyllje të mesazhit të saj, ajo apeloi që kjo çështje të mos politizohet, por të nderohet çdo sakrificë e bërë për lirinë e vendit:
“Pa marrë parasysh çfarë partie i takon, kjo nuk është politikë. Politikën lëreni anash, politikën e bëjmë ne kudo ku duhet. Kjo është historia jonë… pra çdo gjak që është derdh duhet me u respektu e me u vlerësu, se kemi shumë të dhënë.”



