Realisht, shqiptarët dhe maqedonasit në Maqedoninë e Veriut ndajnë të njëjtin fat, pasi jetojnë në të njëjtin shtet. Në disa vendbanime kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë së bashku, në fshatra dhe lagje të përziera. Ndjekin të njëjtat shkolla, ndonëse në paralele të ndara etnike, luajnë në të njëjtat ekipe sportive dhe kanë ndërtuar marrëdhënie të shumta njerëzore e shoqërore.
Në këtë aspekt, shqiptarët dhe maqedonasit e njohin njëri-tjetrin shumë më mirë, edhe pse ekzistojnë ndarje të theksuara. Pra, ata njihen më mirë sesa shqiptarët dhe bullgarët.
Megjithatë, në kontestin historik ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, shumë shqiptarë kanë mbajtur qëndrime në mbështetje të palës maqedonase, duke e konsideruar stabilitetin e shtetit si interes të përbashkët.
Nga ana tjetër, nuk mund të anashkalohet fakti se elita politike dhe kulturore maqedonase ka ruajtur elemente të mentalitetit jugosllav dhe lidhje të forta emocionale e kulturore me Serbinë. Madje, në maqedoni të veriut ende kultivohen dhe promovohen historia, kultura, muzika, filmi dhe sporti serb.
Pikërisht nga kjo qasje janë krijuar dhe vazhdojnë të ekzistojnë hendekë ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve.
Në anën tjetër, bullgarët, për dallim nga maqedonasit, janë të unifikuar në qëndrimet e tyre ndaj çështjeve historike dhe kanë këmbëngulur në interpretimin e tyre të së kaluarës. Për këtë arsye, debati ka vazhduar për vite me radhë dhe ka ndikuar edhe në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Më kujtohet një vlerësim i të ndjerit Arbën Xhaferi për kontestet e Maqedonisë së Veriut me fqinjët e saj. Sipas tij, maqedonasit do t’i humbin betejat politike për temat e së kaluarës me grekët dhe bullgarët, sepse historia në Ballkan mbetet objekt pretendimesh dhe interpretimesh të ndryshme.
Mirëpo, e drejta e tyre për t’u kujdesur për të ardhmen nuk mund t’u mohohet nga askush.
Ndoshta pikërisht këtu qëndron edhe mësimi më i rëndësishëm: popujt e Ballkanit mund të mos bien dakord për të kaluarën, por kanë interes të përbashkët që të ndërtojnë një të ardhme më të qëndrueshme, më demokratike dhe më evropiane.
Në këtë mes, shqiptarët shpesh janë gjendur në pozitën e një pale që, ndonëse nuk është pjesë direkte e kontestit historik bullgaro-maqedonas, megjithatë përballet me pasojat politike dhe institucionale të tij. Për këtë arsye, interesi i shqiptarëve nuk duhet të jetë mbrojtja e miteve historike të kujtdo tjetër, por mbështetja e proceseve që sigurojnë stabilitet, integrim evropian dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit.

