Takimet e grupit kriminal në Aruba dhe Spanjë, SPAK zbardh detaje nga dosja: Artur Shehu dhe bashkëpunëtorët synonin leje ndërtimi përmes lidhjeve të tyre

Operacioni i fundit i SPAK kundër një grupi të strukturuar kriminal ka nxjerrë në dritë detaje të reja mbi aktivitetin e personave të dyshuar për trafik narkotikësh dhe pastrim parash. Sipas dosjes hetimore, një pjesë e takimeve mes anëtarëve të grupit janë zhvilluar jashtë Shqipërisë, konkretisht në Aruba dhe Spanjë.

Hetimet tregojnë se Artur Shehu, Adrian Rama dhe Elton Memeti kanë ndërmarrë veprime të ndryshme me synim zhvillimin e pronave dhe sigurimin e lejeve të ndërtimit. Sipas SPAK, fillimisht janë kryer procedura për zhvillimin e pronës, ndërsa më pas janë përdorur veprime juridike të maskuara si dhurime, me qëllim krijimin e kushteve për përfitimin e lejeve ndërtimore.

Autoritetet shqiptare kanë siguruar informacione nga homologët spanjollë dhe belgë, të cilat tregojnë se personat nën hetim kanë zhvilluar takime të shumta jashtë vendit dhe kanë komunikuar për kontakte me funksionarë të lartë shtetërorë. Në dokumentet hetimore nuk përmenden emra konkretë të zyrtarëve apo detaje të tjera mbi këto kontakte.

Sipas dosjes, përpjekjet për sigurimin e lejeve të ndërtimit janë penguar nga sekuestrimi i një pjese të pronës së përfituar përmes dhurimit, si dhe nga pamundësia për të revokuar kontrata të mëparshme. Megjithatë, SPAK dyshon se grupi ka vazhduar përpjekjet për realizimin e projekteve të ndryshme, përfshirë edhe atë të njohur si “Shkolla e Biçikletave”, për të cilin Adrian Rama rezulton të ketë ndjekur zhvillimet dhe planet urbanistike.

Operacioni i SPAK çoi në lëshimin e 20 masave të sigurisë, ku 15 persona u lanë në “arrest me burg” dhe 5 të tjerë në “arrest shtëpie”, ndërsa hetimet për aktivitetin e grupit vijojnë.

Kumanova në qendër të vëmendjes, Ahmeti shpall mobilizim për sfidat e ardhshme

By admin