Koreja e Veriut ia ndërpret përkohësisht ndihmat Rusisë pas tensioneve diplomatike, sipas Ukrainës

Agjencia e inteligjencës ushtarake të Ukrainës tha të enjten se Koreja e Veriut ka ndërprerë përkohësisht një pjesë të bashkëpunimit ushtarak me Rusinë, përfshirë furnizimet me raketa balistike KN-23, pas tensioneve diplomatike mes dy aleatëve.

Agjencia e inteligjencës ushtarake të Ukrainës, GUR, tha se ministrja e Jashtme e Koresë së Veriut, Choe Son Hui, kishte njoftuar pezullimin e përkohshëm të bashkëpunimit muajin e kaluar, në përgjigje të deklaratës së një zëvendësministri të Jashtëm rus, sipas së cilës Kremlini do të ndihmonte në uljen e tensioneve mes Seulit dhe Phenianit.

Sipas një hetimi të Reuters, Koreja e Veriut e ka furnizuar Rusinë me armë që nga viti 2023, ndërsa me trupa ushtarake që nga viti 2024. Mes tyre kishte edhe ushtarë që luftuan kundër forcave ukrainase pas inkursionit të Ukrainës në rajonin rus të Kurskut.

Ekspertët thonë se mbështetja ushtarake për Rusinë është një burim i rrallë i valutës së huaj për Korenë e Veriut, e cila është në shënjestër të gjerë të sanksioneve ndërkombëtare.

Sipas GUR-it, Choe kërkoi nga Rusia që të qartësonte politikën e saj ndaj Koresë së Jugut dhe njoftoi një ndërprerje të përkohshme të bashkëpunimit ushtarak, përfshirë fluturimet e avionëve ushtarakë rusë mbi territorin e Koresë së Veriut dhe dërgesat e predhave të artilerisë dhe raketave balistike KN-23 drejt Rusisë.

Reuters raporton se nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur përmbajtjen e raportit.

GUR nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve se ku ishin bërë deklaratat që i atribuohen Choe-s dhe zëvendësministrit të Jashtëm rus, Andrey Rudenko.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë dhe ambasadat e Koresë së Veriut në Rusi, Londër dhe Nju-Jork nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Në deklaratat e bëra muajin e kaluar, Rudenko, i cili mbikëqyr marrëdhëniet me vendet aziatike, tha se Moska kishte marrë sinjale nga Seuli se ky i fundit dëshironte të normalizonte marrëdhëniet me Rusinë pas përfundimit të luftës në Ukrainë dhe se të dyja palët po diskutonin rifillimin e fluturimeve të drejtpërdrejta.