Një ndeshje futbolli mes Beshiktashit turk dhe ekipit izraelit Hapoel Beer-Sheva është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes tifozëve dhe policisë në qytetin e Batumit, në Gjeorgji.
Shkak për incidentet u bë edhe shfaqja e mesazheve në mbështetje të Palestinës nga tifozët turq, të cilët shpalosën një banderolë me mbishkrimin “Revoltë kundër pushtimit, liri për Palestinën”, valëvitën flamuj palestinezë dhe brohoritën slogane kundër Izraelit.
Situata doli jashtë kontrollit në tribunat e stadiumit, ku pati përplasje mes tifozëve dhe forcave të policisë. Si pasojë, ndeshja u ndërpre përkohësisht në minutën e 26-të, ndërsa arbitri danez Morten Krogh urdhëroi të dyja skuadrat të largoheshin drejt dhomave të zhveshjes.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Gjeorgjisë, tre efektivë policie mbetën të plagosur dhe 16 persona u ndaluan. Autoritetet gjeorgjiane pretendojnë se disa tifozë hodhën edhe ulëset e stadiumit në drejtim të policisë. Ministria mohoi që ndërhyrja e forcave të rendit të kishte nisur për shkak të flamujve dhe banderolave pro-palestineze, duke deklaruar se përplasjet kishin filluar më herët.
Nga ana tjetër, agjencia turke e lajmeve DHA raportoi se policia përdori sprej djegës ndaj tifozëve, disa prej të cilëve patën nevojë për ndihmë mjekësore. Sipas një përfaqësuesi të Beshiktashit, pesë tifozë po merrnin trajtim në spital.
Klubi turk reagoi ashpër ndaj veprimeve të policisë gjeorgjiane, duke i cilësuar ato si përdorim joproporcional të forcës. Beshiktashi bëri të ditur se ka paraqitur ankesë pranë UEFA-s dhe se po bashkëpunon me konsullatën turke në Batumi për të garantuar sigurinë e tifozëve të tij.
Edhe Federata Turke e Futbollit dënoi ndërhyrjen e policisë, duke e cilësuar sjelljen ndaj mbështetësve të Beshiktashit si të papranueshme.
Ngjarja mori edhe përmasa diplomatike, pasi ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, kontaktoi homologen e tij gjeorgjiane, Maka Botchorishvili. Ndërkohë, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Beshiktashit, Serdal Adali, duke e informuar se po i ndiqte nga afër zhvillimet.
Në mbështetje të Beshiktashit dolën edhe klubet rivale Gallatasaraj dhe Fenerbahçe, si dhe Trabzonspor, të cilët dënuan incidentet. Mesazhe solidariteti u publikuan gjithashtu nga përfaqësues të politikës dhe sportit në Turqi.
Ndeshja, e cila ishte zhvendosur nga Stambolli në Gjeorgji për arsye sigurie, përfundoi me fitoren 2-1 të Beshiktashit.
Tensionet mes Turqisë dhe Izraelit janë rritur ndjeshëm që prej nisjes së luftës në Gaza, ndërsa mesazhet në mbështetje të palestinezëve janë bërë të zakonshme në stadiumet turke.


