KQZ publikon bilancin e parë: Mbi 162 mijë qytetarë kanë votuar deri në orën 11:00

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se procesi i votimit po zhvillohet në kushte të rregullta dhe pa probleme në të gjithë territorin e Kosovës.

Në konferencën e radhës për media, Radoniqi njoftoi se deri në orën 11:00 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 162 mijë e 439 qytetarë, që përbën 8.29 për qind të trupit elektoral.

“Deri në këtë kohë votimi është duke u zhvilluar në kushte të rregullta dhe pa probleme. Deri në orën 11:00 kanë votuar 162 mijë e 439 votues, apo 8.29 për qind”, deklaroi Radoniqi.

Ai bëri të ditur se për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor është vënë në funksion një dhomë operative, ku janë të përfshirë përfaqësues të KQZ-së, Prokurorisë së Shtetit, Policisë së Kosovës dhe KEDS-it.

Sipas tij, kjo qendër operative është aktive gjatë gjithë ditës dhe shërben për monitorimin e situatës në terren, koordinimin institucional dhe trajtimin e çdo raportimi apo parregullsie eventuale.

Radoniqi krahasoi pjesëmarrjen aktuale me zgjedhjet e fundit parlamentare, duke theksuar se deri në të njëjtën orë në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 28 dhjetor 2025 kishin votuar 165 mijë e 404 qytetarë, ose 8.27 për qind e votuesve.

KQZ ka paralajmëruar se konferenca e ardhshme për media do të mbahet në orën 15:30, kur do të publikohen të dhënat për pjesëmarrjen deri në orën 15:00 dhe zhvillimet e deriatëhershme të procesit zgjedhor.

By admin