Konjufca pas votimit: Fituese është Kosova, qytetarët janë themeli i demokracisë

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Glauk Konjufca, pas ushtrimit të së drejtës së votës, u shpreh optimist se procesi zgjedhor do të përfundojë qetë dhe pa incidente, duke vlerësuar se Kosova tashmë ka ndërtuar një traditë të konsoliduar demokratike.

Konjufca tha se merita kryesore për zhvillimin e demokracisë në vend u takon qytetarëve, të cilët përmes pjesëmarrjes në zgjedhje mbajnë gjallë frymën demokratike.

“Unë uroj që kjo ditë të shkojë e mbarë, e mirë, pa ndonjë eksces. Kosova tashmë ka krijuar një traditë të zgjedhjeve nacionale, një traditë të demokracisë e cila është konsoliduar përgjatë viteve. Për këtë, më meritorët janë vetë qytetarët e Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.

Ai vlerësoi gjithashtu fushatën zgjedhore, duke theksuar se subjektet politike kanë pasur mundësinë të prezantojnë programet dhe vizionet e tyre para qytetarëve.

Sipas Konjufcës, në fund vetëm vota e qytetarëve e legjitimon pushtetin politik, ndërsa rezultati përfundimtar është më pak i rëndësishëm sesa ruajtja e standardeve demokratike.

“Fituese është Kosova në fund të fundit, sepse edhe më e rëndësishme se rezultati është nëse ne kemi arritur ta ndërtojmë një shtet që ka aftësinë t’i mbajë zgjedhjet me një frymë të lartë demokratike”, tha ai.

Duke komentuar deklaratat e opozitës për autokraci, Konjufca i hodhi poshtë ato, duke theksuar se Kosova ka dëshmuar standarde demokratike përmes zgjedhjeve të lira dhe rotacionit paqësor të pushtetit.

“Shikoni zgjedhjet, shikoni rotacionin e pushtetit, pa asnjë përdorim dhune, pa asnjë problem. Kosova është krejt ndryshe”, deklaroi ai.

Në fund, Konjufca tha se verdiktin për debatet dhe përplasjet politike do ta japin qytetarët me votën e tyre.

“Populli e tregon tash kur të voton se kush ka fituar debatin”, përfundoi ai. transmeton faktiditor.info

By admin