Boksieri shqiptar Kristian Prenga ka ndarë reflektimet e tij pas paraqitjes së fundit në ring, duke theksuar se objektivi i tij ishte ta përfundonte duelin që në raundin e dytë ndaj Anthony Joshuas.
“Do e rrëzoja edhe në raundin e dytë, por kjo nuk ndodhi. Plani im ishte të filloja fuqishëm dhe isha stërvitur pikërisht për këtë,” u shpreh Prenga.
Ai theksoi se motivimi i tij shkon përtej suksesit personal, duke nënvizuar se çdo ndeshje e zhvillon për tifozët, ekipin dhe Shqipërinë, shkruan Indeksonline
“Unë nuk luftoj për veten time. Luftoj për tifozët e mi, për ekipin dhe për gjithë vendin tim. Doja t’i bëja krenar të gjithë, por kjo nuk ndodhi. E di që ata janë të lumtur me mua, por unë jo. Unë dua fitore, sepse vetëm atëherë ndihem krenar,” deklaroi boksieri shqiptar.
Prenga foli edhe për skenën ndërkombëtare të peshave të rënda, duke zbuluar se një përballje me Tyson Furyn ka qenë pjesë e planeve të tij sportive.
“Edhe unë kam pasur plan të rrahem me Tyson Furyn. Dhe mendoj se Anthony Joshua do të fitojë me nokaut ndaj tij,” u shpreh ai.
Deklaratat e Kristian Prengës u dhanë në një intervistë për “Boxing King Media”, ku ai ndau objektivat dhe ambiciet e tij për të ardhmen në boksin profesionist./Indeksonline/



