Kryetari Ekrem Kastrati bën thirrje për mbështetje ndaj FC Malishevës para duelit me Hibernianin

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, u ka bërë thirrje qytetarëve, tifozëve dhe gjithë dashamirëve të futbollit në Kosovë që të mbështesin FC Malishevën në ndeshjen e rëndësishme ndaj Hibernian FC, e vlefshme për fazën play-off të UEFA Conference League.

Përmes një postimi, Kastrati ftoi sa më shumë tifozë që të jenë të pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku sfida zhvillohet sot me fillim nga ora 16:30, shkruan Indeksonline

“FC Malisheva sot përballet me klubin e njohur Hibernian FC nga Skocia, në ndeshjen e play-offit të UEFA Conference League. Pas rrugëtimit historik deri këtu, sot kemi një tjetër mundësi për të treguar forcën, karakterin dhe krenarinë e Malishevës në arenën evropiane”, ka shkruar Kastrati.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Malishevës, tifozëve të klubit dhe të gjithë futbolldashësve nga Kosova që të mbushin stadiumin dhe të jenë përkrah ekipit në këtë përballje të rëndësishme.

“Ftoj të gjithë qytetarët e Malishevës, tifozët tanë dhe dashamirët e futbollit nga mbarë Kosova që të jenë pranë ekipit tonë në këtë sfidë të madhe evropiane”, theksoi kryetari i Malishevës.

FC Malisheva synon të vazhdojë ëndrrën evropiane me një rezultat pozitiv ndaj skuadrës skoceze, në një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e klubit./Indeksonline/

By admin4