Kurti bën homazhe tek ushtarët e vdekur të UÇK’së, pa asnjë ushtar të Batalionit “Atlantiku”

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me disa zyrtarë, në kuadër të vizitës së tij në Shtet e Bashkuara ka bërë homazhe tek ushtarët e vdekur të UÇK-së.

Megjithatë, ajo që bie në sy në një fotografi të publikuar nga homazhet është mungesa e ish-ushtarëve të Batalionit “Atlantiku”, të cilët në kohën e luftës së fundit në Kosovë e lanë “Tokën e Premtuar” dhe iu përgjigjën kushtrimit për luftë për ta mbrojtur atdheun.

Në fotografi, krahas Kurtit shihen ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ambasadori i Kosovës në Uashington, Ilir Dugolli, dhe shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, Blerim Reka, dhe disa figura të tjera.

Megjithatë, në fotografi nuk shihet asnjë ish-pjesëtar i Batalionit “Atlantiku”.

Batalioni “Atlantiku” ishte një nga njësitë më të njohura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i përbërë kryesisht nga shqiptarë të Kosovës që jetonin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky batalion u formua gjatë luftës së Kosovës (1998-1999).

Komuniteti shqiptar në SHBA ishte një nga mbështetësit më të fuqishëm të çështjes së Kosovës. Kjo mbështetje u manifestua në forma të ndryshme, duke përfshirë ndihmën financiare dhe logjistike për UÇK-në, si dhe organizimin e demonstratave ndërkombëtare dhe lobimin pranë institucioneve amerikane për të ndërhyrë në konflikt. Përmes kësaj përfshirjeje të gjerë, shqiptarët e Amerikës jo vetëm që mbështetën njësitë si Batalioni “Atlantiku”, por gjithashtu ndihmuan në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.