Profesori i Historisë dhe akademiku bullgar Spas Tashev nga Akademia Bullgare e Shkencave ka kritikuar ashpër qëndrimin e autoriteteve në Shkup ndaj procesit të integrimit evropian, duke deklaruar se Maqedonia e Veriut po largohet nga rruga drejt Bashkimit Evropian dhe po afrohet me konceptin e ashtuquajtur “Srpski Svet” (Bota Serbe).
Duke komentuar deklaratat e presidentes Gordana Siljanovska-Davkova se ndryshimet kushtetuese nuk varen nga presidenti, Tashev theksoi se eurointegrimet janë një prioritet kombëtar dhe se kreu i shtetit ka ndikim të madh politik në orientimin strategjik të vendit.
Sipas tij, Siljanovska po e shmang me vetëdije debatin për marrëdhëniet me Bullgarinë dhe detyrimet që rrjedhin nga procesi i negociatave me Bashkimin Evropian.
Tashev komentoi edhe vizitën e ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, në Sofje, duke vlerësuar se megjithëse ai përdori një ton më të moderuar, deklaratat e tij përmbanin elemente provokuese.
Akademiku bullgar hodhi poshtë pretendimet e Shkupit zyrtar se mosmarrëveshja me Bullgarinë është çështje thjesht bilaterale. Ai kujtoi se që nga viti 2022, çështja është shndërruar në një problem mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, pasi kushtet e përfshira në Propozimin Francez janë miratuar nga të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së.
Sipas Tashev, pa përmbushjen e këtyre detyrimeve, veçanërisht ndryshimet kushtetuese, rruga e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian mbetet e bllokuar.

