Tragjedi në Prizren! Përleshja mes kushërinjve përfundon me një të vrarë, plagoset edhe babai i viktimës

Një konflikt i rëndë mes dy familjeve që janë kushërinj mes vete ka përfunduar në mënyrë tragjike në fshatin Kobaj të Prizrenit, ku një 27-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur.

Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur paraditen e së dielës, rreth orës 11:50, kur dy familjet janë përfshirë në një përleshje fizike, gjatë së cilës janë përdorur edhe mjete të forta.

Si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i mprehtë, që dyshohet të ketë qenë thikë, 27-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë lëndimeve dhe ka ndërruar jetë.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, bëri të ditur se në incident është lënduar edhe një 57-vjeçar, i cili dyshohet të jetë babai i viktimës.

Pas ngjarjes, personat e dyshuar dhe familjarët e viktimës janë shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe drejtuesit e Policisë Rajonale.

Autoritetet kanë ndërmarrë masa shtesë sigurie për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, ndërsa hetimet po zhvillohen në koordinim me Prokurorin e Shtetit për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur Prizrenin.

By admin