Pas një drame rreth njëjavore ku ndjekësit mbanin frymën dhe shpresonin dëshpërimisht se dyshja nuk i kishte ndarë rrugët, telenovela duket se ka mbërritur në episodin e fundit. Mbrëmjen e djeshme qarkulluan disa lëvizje nëpër rrjete sociale që vetëm sa i neveritën fansat, duke e çuar zhgënjimin e tyre në një tjetër nivel.
Fiks kur situata dukej e mjegullt, rreth orës 1:30 të mëngjesit, heshtjen e theu Mateo. Ai konfirmoi përfundimisht ndarjen, por ra në sy fakti që zgjodhi të mos ia përmendte fare emrin ish-partneres. Pasi theksoi se marrëdhënia ka qenë gjithmonë diçka që ka dashur ta mbajë për vete, ai u shpreh hapur: “E respektoj personin edhe kohën që kam kaluar me të dhe më vjen keq që po shkruaj këtë mesazh… por nuk meritoni ta merrni si lajm nëpërmjet një story apo një ‘like’ që nuk jemi më bashkë ndaj vendosa të reagoj”.
Rreth 35 minuta më vonë, nuk mungoi as reagimi i palës tjetër. Brikena shkroi në grupet e saj, duke u munduar të tregohej politikisht korrekte si gjithmonë dhe ndryshe nga ai, ajo e përmendi Mateon në emër duke u dhënë fund aludimeve.
“Po, unë dhe Mateo nuk jemi më bashkë. Dua të theksoj se nuk ka pasur asnjë mungesë respekti nga asnjëri prej nesh,” ka shkruar ajo, në përpjekje për të mbajtur situatën të qetë. Për t’i shpëtuar zhurmës mediatike, ajo theksoi nevojën për qetësi: “Për momentin kam vendosur edhe të largohem nga disa grupe… sepse më bën keq të shoh postime, komente apo diskutime rreth kësaj situate.”
Megjithatë, këto deklarata nuk e kanë qetësuar aspak situatën. Të dy po përballen me një lumë kritikash në rrjetet sociale për mënyrën se si e menaxhuan gjithë këtë histori, teksa ndjekësit e zhgënjyer po i japin më në fund të drejtë Mirit, Juelës, Edisës dhe Rogertit për gjithçka që kishin thënë me kohë mbi jetëgjatësinë e këtij çifti. /Prive By Liberta Spahiu.

