Zelensky, letër të hapur Putinit, i bën thirrje për paqe

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka shkruar letër të hapur homologut të vet rus, Vladimir Putin, duke i bërë thirrje për të marrë pjesë në një takim mes dy udhëheqësve në një vend neutral, për të arritur marrëveshje për përfundimin e luftës.

Në letër thuhet se, meqë Uashingtoni është “plotësisht i përqendruar” në konfliktin me Iranin, “do të ishte gabim të pritej” që kjo gjendje të ndryshojë. Megjithatë, në letër thuhet gjithashtu se Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane duhet të përfshihen në procesin e paqes.

“Ukraina është e gatshme për një armëpushim të plotë gjatë gjithë kohëzgjatjes së bisedimeve. Kjo është praktikë standarde dhe zhvillimet e tanishme rreth Iranit vetëm sa e përforcojnë këtë argument”, shkroi Zelensky, duke propozuar gjithashtu shkëmbimin e të gjithë robërve të luftës që mbahen nga të dyja palët.

Letra e Zelenskyt vjen pesë vjet pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, dhe teksa forcat ukrainase po i vazhdojnë luftimet kundër trupave ruse në një konflikt që ka arritur pothuajse në një ngërç ushtarak.

Derisa vijat e frontit të mbizotëruara nga lufta me dronë pothuajse nuk po ndryshojnë fare, Rusia ka vazhduar t’i godasë qytetet ukrainase me raketa dhe sulme me dronë ndaj objektivave civile, në një përpjekje të dukshme për t’ia ulur moralin popullsisë.

Sulmi më i fundit, më 2 qershor, ishte aq madh sa tronditi edhe ukrainasit që kanë duruar vite bombardimesh. Gjashtë persona u vranë në Kiev, 16 në Dnipro dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, raporton REL.

Në letrën e tij, Zelensky thekson se edhe Ukraina ka goditur Rusinë me “dronë dhe raketa”, të cilat kryesisht kanë pasur në shënjestër industrinë energjetike që financon përpjekjet e luftës së Kremlinit.

“Ju vazhdimisht shtyni, çdo disa muaj, afatet që vetë i keni vendosur për pushtimin e rajoneve tona — veçanërisht rajonit të Donjeckut. Dhe as këtë vit nuk do ta pushtoni”, shkroi ai.

“Por, ne në Ukrainë nuk duam luftë të përhershme. E dimë shumë mirë se jeta pa luftë është pafundësisht më e mirë. Dhe, ne duam ta arrijmë këtë”, shtoi ai./faktiditor.info

By admin1