Komuna e Çairit prej më shumë se tre javësh po realizon një aksion intensiv për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e gjelbërimit në hapësirat publike. Me iniciativë të Komunës, në bashkëpunim me NP “Parqe dhe Gjelbërime” dhe kompaninë ADM-AL, deri më tani janë krasitur mbi 250 drunj, ndërsa janë larguar rreth 100 drunj të tharë dhe të rrezikshëm.
Intervenimet realizohen në mënyrë profesionale dhe në varësi të kushteve në terren, përfshirë edhe metodën tree climbing në lokacionet ku nevojitet qasje e specializuar. Paralelisht me krasitjen dhe largimin e drunjve të rrezikshëm, bëhet edhe grumbullimi dhe transportimi i degëve, mbetjeve të gjelbra dhe materialit të mbetur pas intervenimeve.
Punimet zhvillohen në përputhje me Ligjin për Gjelbërim Urban dhe kompetencat përkatëse ligjore. Aksioni nuk është aktivitet i përkohshëm, por do të vazhdojë për një periudhë njëvjeçare, duke përfshirë të gjitha lokacionet në territorin e Çairit ku evidentohet nevoja për intervenim.
Përmes këtij aksioni synohet mirëmbajtja e gjelbërimit urban, largimi i drunjve që paraqesin rrezik dhe krijimi i hapësirave publike më të sigurta dhe më të rregulluara për qytetarët.



