Provimi për vozitje në Gjermani edhe në gjuhën shqipe

Ndryshimi i ri në rregulloren gjermane përfshin shqipen ndër gjuhët në të cilat mund të zhvillohet provimi për kualifikimin e shoferëve profesionistë, transmeton albinfo.ch

Shoferët profesionistë shqipfolës që jetojnë dhe punojnë në Gjermani mund ta zhvillojnë tashmë në gjuhën shqipe provimin për kualifikimin profesional të shoferëve, të njohur si “Kodi 95”.

Sipas njoftimit të ODA e.V. Hamburg – Organisation deutsch-albanischer Akademiker, ndryshimi është përcaktuar me rregulloren e re gjermane të datës 12 gusht 2026, e cila është publikuar më 17 gusht në Gazetën Zyrtare Federale të Gjermanisë.
Në dokumentin zyrtar, shqipja është përfshirë ndër gjuhët në të cilat mund të zhvillohet provimi, krahas gjermanishtes dhe gjuhëve të tjera të përcaktuara në rregullore.

Sipas ODA e.V. Hamburg, në këtë proces ka kontribuar edhe anëtari i Odës, Driton Krasniqi.
Mundësia e zhvillimit të provimit në gjuhën shqipe pritet të lehtësojë procesin e kualifikimit profesional për shoferët shqipfolës dhe t’u mundësojë atyre qasje më të lehtë në kërkesat profesionale për punësim në sektorin gjerman të transportit./Albinfo.ch