Me moton “Ne jemi bashkë”, studentët shqiptarë u mblodhën në Tiranë në mbështetje të studentëve, të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës, si dhe provimet e tjera, të mbahen në gjuhën shqipe.
Dhjetëra studentë nga vendi, i’u bashkuan kësaj proteste, e cila u mbajt para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë.
Studentët përçuan mesazhe për unitet dhe solidaritet me shqiptarët e Maqedonisë.
“Ne nuk zgjedhim dhe nuk heshtim, gjuha shqipe nuk është debati, nuk është favor që kërkohet, nuk është privilegj që jepet nga askush. Gjuha shqipe është gjaku ynë, është kujtesa jonë, amaneti që na kanë lënë brezat që nuk u përkulën kurrë,“ deklaroi Mevlan Ademi, Student.
“Ajo që po u ndodh vëllezërve dhe motrave tona atje, është diçka që nuk është e drejtë nuk është e ligjshme dhe kjo na bën edhe më të fortë, të bashkohemi edhe më fortë, të ngrejmë zërin dhe ky mesazh të buçasë nga ky shesh sot këtu, tha Kristian Mela, Student nga Shqipëria.
“Kështu është kur e quan njëri tjetrin vëlla apo motër, i del në besë, i del për zot në ditën më të vështirë….Nëse ti prek një student shqiptar në Shkup, ti ke prekur një student shqiptarë në Prishtin, ti ke prekur një student shqiptar në Tiranë,” u shpreh nje studente.
Tubimi nisi në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, prej nga më pas protestuesit marshuan drejt ambasadës. Sipas organizatorëve, protesta synon të shprehë solidaritet dhe të mbrojë të drejtat për përdorimin e gjuhës shqipe në institucione.
Protesta e organizuar në Tiranë, vjen pas dy protestave të mbajtura në Shkup, si pasojë e refuzimit të kërkesave të studentëve nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. /Alsat.mk


