Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i dënuar të mërkurën me 25 vjet burgim për krime lufte, prej kohësh është parë brenda vendit ballkanik si një hero gueril dhe simbol i luftës së përgjakshme për pavarësi.
Thaçi, i cili u shpall fajtor nga një gjykatë e posaçme në Hagë për krime lufte të kryera nga luftëtarë guerilë, përfshirë vrasje, arrestim dhe ndalim arbitrar, trajtim mizor dhe torturë, udhëhoqi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila ishte pro-pavarësisë, gjatë luftës së viteve 1998–1999 me Serbinë, shkruan mediumi francez, France24, duke cituar agjencinë ndërkombëtare të lajmeve me seli në Paris, Agence France-Presse (AFP).
58-vjeçari, i cili gjithashtu shërbeu për më shumë se shtatë vjet si kryeministër – e pa popullaritetin e tij të rritej ndjeshëm kur ndihmoi në mbikëqyrjen e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Por imazhi i tij u dëmtua nga një raport i Këshillit të Europës i vitit 2010, ku pretendohej se kishte lidhje me krimin e organizuar dhe abuzime të rënda të kryera gjatë dhe menjëherë pas luftës.
Kritikët e akuzuan gjithashtu ish-udhëheqësin dhe partinë e tij për korrupsion dhe përqendrim të pushtetit te aleatët politikë.
Por ishin akuzat e lidhura me kohën e luftës ato që i dhanë fund papritur presidencës së tij dhe e lanë atë në paraburgim në Hagë.
Ai u akuzua në vitin 2020 për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, nën akuzën se mbante përgjegjësi për vrasje, torturë, ndalim të paligjshëm dhe zhdukje me forcë gjatë dhe pas konfliktit.
“Këto nuk janë momente të lehta për mua dhe familjen time, si dhe për ata që më kanë mbështetur dhe besuar në tri dekadat e fundit të luftës sonë për liri, pavarësi dhe ndërtimin e shtetit”, tha ai në vitin 2020, kur njoftoi dorëheqjen dhe dorëzimin e tij në gjykatë.
Shumë njerëz e ndoqën të mërkurën drejtpërdrejt shpalljen e aktgjykimit në një ekran të vendosur në një shesh në kryeqytet, Prishtinë, ku një orë numërimi mbrapsht kishte numëruar ditët deri në shpalljen e vendimit.
Të shtunën, dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në Prishtinë për të kërkuar pafajësinë e Thaçit dhe të ish-udhëheqësve të tjerë guerilë.
“Gjarpri”
I lindur në vitin 1968 në rajonin e Drenicës, në pjesën perëndimore të Kosovës – një vatër e rezistencës së shqiptarëve etnikë ndaj sundimit serb – Thaçi u përfshi në përpjekjet e rezistencës paqësore kundër sundimit të Beogradit si student në vitet 1990.
Gjatë studimeve të historisë në Zvicër, ku jeton një diasporë e madhe shqiptare, ai u zhgënjye nga politika e rezistencës paqësore të promovuar nga ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova.
Pas kthimit në Kosovë, ai mori nofkën e luftës “Gjarpri”, teksa ndihmoi në ndërtimin e një ushtrie guerile nëntokësore, UÇK-së, për të luftuar për pavarësinë nga forcat e të fortit serb Slobodan Millosheviq.
Konflikti la pas vetes rreth 13,000 të vrarë, kryesisht shqiptarë etnikë, dhe përfundoi pasi NATO-ja ndërhyri në vitin 1999, duke i dëbuar forcat serbe.
Gjykatat ndërkombëtare më vonë dënuan disa zyrtarë të lartë të ushtrisë dhe policisë serbe për krime të kryera gjatë konfliktit.
Ndërsa Kosova vazhdonte të kërkonte shtetësinë, Thaçi u bë një nga figurat e saj më të rëndësishme politike.
Gjatë një vizite në Shtëpinë e Bardhë, Joe Biden, atëherë nënpresident i SHBA-së, e cilësoi atë si “George Washingtonin e Kosovës”.
Pas vdekjes së Rugovës, i cili konsiderohej gjerësisht si babai i kombit, Thaçi u bë kryeministër pas zgjedhjeve të vitit 2007.
Tre muaj më vonë, ai lexoi në Kuvend deklaratën e pavarësisë, duke shpallur shkëputjen e njëanshme të Kosovës nga Serbia – një veprim që Beogradi ende nuk e njeh.
Pavarësisht akuzave për korrupsion, ai mbeti në qendër të politikës dhe u zgjodh president në vitin 2016.
Ai gjithmonë i ka mohuar çdo keqbërje gjatë luftës, duke e përshkruar atë si një rebelim “të drejtë” kundër represionit serb.
“Mund të kem bërë gabime politike në kohë paqeje, por krime lufte, kurrë”, tha ai në vitin 2020.



