Të premten dhe të shtunën kryeministri Hristijan Mickoski do t’i takojë partnerët e koalicionit VLEN dhe ZNAM për të diskutuar çështjen e rikonstruimit të Qeverisë. Mcikoski tha se është i kënaqur me bashkëpunimin me VLEN-in dhe nuk sheh arsye pse ky bashkëpunim të mos vazhdojë.
“Ne kemi bashkëpunim jashtëzakonisht korrekt dhe do të thosha miqësor me partnerin tonë të koalicionit VLEN dhe pres që ashtu dhe në atë drejtim të vazhdojmë. E dini se pas realizimit të bashkëpunimit tonë pas zgjedhjeve në vitin 2024, vijuan zgjedhjet lokale ku ata ishin fitues bindës në 10 komuna, në kushtimisht thënë pjesën shqiptare në Maqedoni, kështu që bashkëpunimi jonë, nuk shoh pengesë në këtë moment pse të mos vazhdojë”, tha Mickoski.
Gjatë ditës së djeshme, bashkëkryetari i VLEN-it Bilall Kasami tha se në bisedimet me Mickoskin do ta shtrojnë kërkesën për të larguar Fatmir Limanin nga pozita e ministrit si i propozuar nga VLEN, meqë Limani nuk mban asnjë pozitë partiake. Plotësisht, VLEN duhet të propozojë emër edhe për pozitën e zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, pasi Arben Fetai dha dorëheqje pas mosmarrëveshjeve brenda VLEN-it.
Ndonëse asgjë s’ka zyrtare, nëpër media është përfolur largimi i mundshëm i Igor Fillkovit nga pozita e ministrit të Drejtësisë dhe Goran Minçevit nga Administrata. Emër që mund të përfshihet me rikonstruimin mund të jenë edhe udhëheqësi i resorit të Kulturës, Zoran Lutkov, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e këmbimit të resorëve që së fundmi u përmend një rotacion i mundshëm mes arsimit dhe shëndetësisë. Kryeministri ka deklaruar se fokusi i rikonstruimit do të jetë cilësia, jo te sasia.

