Mbrëmjen e sotme në orën 20:00, Kombëtarja e Shqipërisë do të sfidojë Izraelin në një ndeshje miqësore në stadiumin “Air Albania”, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar masa të rrepta sigurie për mbarëvajtjen e aktivitetit.
Policia e Shtetit ka publikuar një plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes, duke theksuar se ai është hartuar bazuar në përvojat e mëparshme në organizimin e aktiviteteve ndërkombëtare sportive.
Sipas njoftimit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, gjatë datës 03.06.2026 do të ketë kufizime të qarkullimit në disa akse rrugore pranë stadiumit, duke filluar nga ora 16:00 deri në përfundim të ndeshjes.
Ndër rrugët që do të jenë të bllokuara përfshihen bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Ismail Qemali”, “Lekë Dukagjini” dhe “Abdyl Frashëri”, si dhe zona të tjera përreth stadiumit. Sheshi “Wilson” do të devijojë qarkullimin pak para përfundimit të ndeshjes.
Ndërkohë, të lira për qarkullim do të mbeten Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri”.
Policia ka bërë të ditur gjithashtu se do të ushtrojë kontrolle të imtësishme ndaj tifozëve në hyrje të stadiumit, për të parandaluar futjen e sendeve të ndaluara, përfshirë banderola me përmbajtje raciste, mjete piroteknike, çakmakë, monedha metalike, çadra, karikues celularësh dhe sende të tjera të rrezikshme.
Tifozët janë këshilluar të paraqiten në hyrjet e stadiumit nga ora 18:00, për të shmangur vonesat dhe rrezikun e humbjes së ndeshjes për shkak të fluksit të madh.
Policia e Shtetit ka angazhuar qindra efektivë për të garantuar rendin dhe sigurinë, duke theksuar se synimi është zhvillimi i një aktiviteti pa incidente dhe në përputhje me standardet e sigurisë dhe imazhin e vendit.


